Dobësitë dhe komprometimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni

Opinione

Dobësitë dhe komprometimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 5 tetor 2018 Në ora: 18:16
Abdulla Mehmeti

Më në fund, shpresoj të jenë bindur shumica e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, faktori politik vendës, faktori ndërkombëtar dhe sidomos Tirana dhe Prishtina zyrtare, lëvizja politike shqiptare në Maqedoni sa shumë ka nevojë për reforma, filozofi të re veprimi, impulse dhe potencial të ri, për tejkalimin e gjendjes së rëndë në të cilën ndodhen shqiptarët në këtë shtet.

Mjaftojnë vetëm dy fakte nga zhvillimet politike më të fundit në vend, që ta analizojmë seriozisht këtë situatë dhe, të gjithë së bashku të ndërmarrim veprime të nevojshme dhe konkrete.

U tha, dhe u besua verbërisht, se arritje e madhe e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, me përkrahje edhe nga Tirana e Prishtina zyrtare, ishte Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare parlamantare në Maqedoni, e nënshkruar në Shkup më 7 janar 2017. Mjaftuan vetëm disa shkrime në shtypin maqedonas, disa paraqitje në mediat elektronike në Shkup, që nëntoka politike e motivuar nga qarqet proserbe dhe proruse në vend dhe jashtë tij, ta kualifikojnë atë si “Platformë (nacinaliste) e Tiranës”, që të harrohet ajo edhe nga vetë shqiptarët dhe nga partitë politike nënshktuese të saj, të cilat u tërhoqën në heshtje nga kjo Deklaratë.

Pra, faktori politik që nuk ka kapacitete të mjaftueshme ta mbrojë dhe jetësojë një Deklaratë, e cila me asgjë nuk i tejkalon korrnizat kushtetuese dhe as Marrëveshjen e Ohrit, ky faktor politik duhet ta shqyrtojë seriozisht nevojën për mbetjen edhe më tej në skenën politike, nëse eventualisht nuk ndërmerr masa serioze për ndyshime dhe reforma të thella të brendshme në strukturën organizative dhe kapacitetet e brendshme të këtyre partive, të cilat e përbëjnë aktualisht lëvizjen politike të shqiptarëve në Maqedoni.  

U tha, gjithashtu, se arritje e madhe e faktorit politik shqiptar në Maqedoni ka qenë marrja e njërit nga funksionet më të larta të pushtetit, pozita e Kryetarit të Parlamentit, dhe kjo u vlerësua si arritje e madhe edhe nga faktori politik shqiptar në Tiranë, Prishtinë, por edhe jashtë vendit. Dhe, vërtet ky ka qenë një hap i mirë në drejtim të reformave demokratike në vend, në funksion të arritjes së barazisë së shqiptarëve, për relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend dhe, jo vetëm kaq.

Por, mungesa e kapaciteteve të përgjithshme të faktorit politik shqiptar vendës, sa nuk e nxorri qesharak këtë faktor, me këtë ide të konsumuar politike, madje edhe si degradim i proceseve demokratike dhe reformuese në këtë shtet, kur opinioni i brendshëm dhe i jashtëm e kuptoi „lojën“, falsitetin e kësaj politike kinse reformatore, me mohimin e të drejtës së votës dhe largimin e vetë Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë nga Lista e përgjithshme e zgjedhësve në referendumin e 30 shtatorit.

Kryetari i Kuvendit, sipas kompetencave kushtetuese të tij, është një nga tri funksionet më të rëndësishme të pushtetit, si drejtues i organit më të lartë ligjdhënës të shtetit, i cili në kushte të veçanta e zëvendëson me automatizëm edhe presidentin e shtetit, dhe njëherësh komandantin e forcave të armatosura të shtetit!

Dhe, këtij autoriteti të lartë, vetëm pse është shqiptar, i merret e drejta më themelore qytetare, e drejta e votës!

Në një shoqëri të përgjegjshme dhe demokratike, ky nuk përbën vetëm një skandal, një lëshim administrativ, kur dihet fakti se ky është një veprim me paramendim, dhe askush të mos mbajë përgjegjësi për këtë, kjo domethënë se me këtë veprim është goditur vetë shteti dhe institucionet më të rëndësishme të tij.

Nëse partitë politike nuk kanë aftësi ta mbrojnë votën e lirë, të drejtën e votës të drejtuesve të partisë dhe sidomos të funksionarëve të lartë të pushtetit nga radhët e tyre, si mund t’i mbrojnë të drejtat e qytetarëve të tjerë të vendit? Në këtë rast, cilat janë kapacitetet e këtyre partive politike që t’u garantojnë shqiptarëve avancimin e të drejtave kolektive të tyre, të shkeluara dhe mohuara që nga pavarësimi i këtij shteti e deri më sot?! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat