"Goodbye, Mr. President" - Bota Sot
"Goodbye, Mr. President"

Opinione

"Goodbye, Mr. President"

Nga: Xhevahire Krasniqi-Podvorica Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 22:33
Xhevahire Krasniqi-Podvorica

Këto ditë, kur të gjithë ne kemi qenë të pikëlluar për humbjen e një njeriu të madh, të Presidentit Xhorxh Bush, në mendjen tonë projektohen, ashtu sikur në trakën filmike, kujtime, imazhe dhe fotografi të cilat mediat botërore po i emitojnë pa nda. Aeroplani luftarak me të cilin në vitiin 1943 Xhorxh Bush, atëbotë i moshës njëzet vjecare, si i ri vullnetar ishte nisur  drejt betejave të shumta gjatë Luftës së Dytë Botërore, rrëzimi i tij në oqean gjatë një beteje pasi ishte qëlluar nga një predhë e armikut, mbishkrimi në aeroplanin e tij i emrit të të dashurës së tij, më vonë bashkëshortes Barbara, zgjedhja e tij Presidenti i 41 i SHBA, vendimet e vështira për të sulmuar ushtarakisht atje ku duhej bërë, ndihma për shkatërrimin e sistemit komunist dhe Bashkimit Sovjetik dhe shumë aksione tjera të cilat atë e ngritën në nivelin e një figure emblematike dhe shumë të dashur në botën e qytetëruar, janë vetëm disa copëza të shkëputura të cilat na kujtojnë se në këtë botë, megjithate kishte dhe, dhashtë Zoti do të ketë njerëz të cilët do të dijnë të vlerësojnë  situatat, edhe atëherë kur ato janë më të ndërlikuara e të vështira per tu zgjidhur.

Për ne shqiptarët, Presidenti Bush, sikur edhe presidentët tjerë të SHBA do të mbeten në kujtimet tona si një njeri i cili, i pari, qyshë në vitin 1992, Qeverisë së Beogradit dhe drejtpërsëdrejti Milloshevicit ia tërhjeki vërejtjen duke deklaruar se poqese Kosova sulmohet ushtarakisht, SHBA do të përdorë forcat e saj ushtarake. Premtim I cili u realizua në vitin 1999 kur forcat aleate të NATO-s, të prira prej amerikanëve bombarduan caqet serbe në Kosovë, Serbi e më gjërë. Ngjajshëm sikur bëri Presidenti Vilson në fillimin e shekullit të kaluar, atëherë kur luajti rol aktiv në formësimin e shtetit shqiptar, sikur Presidenti Klinton i cili urdhëroi bombardimin e forcave ushtarake e paraushtarake serbe dhe në fund sikur bëri edhe Presidenti Bush i Dyti, gjatë mandatit të së cilit u shpall pavarësia e shtetit të Kosovës në vitin 2007. Edhe i ndjeri Presidenti Bush, pas lobimeve pro shqiptare në Vashington, e kreu misionin e tij human e politik, synim ky të cilin e kishte brumosur jo vetëm nga trashëgimia e lakmueshme familjare port ë cilen  e kishte kalitur mu në vorbullin e luftës, në një moshë shumë të re.

Dhe për ta përmbyllur këtë, është ravijëzimi i tij mbi të gjitha fisnik, human dhe vizionar i cili bëri që gjithë bota, në këto ditë të përshëndetjeve të fundit nga ky kolos i politikave ndërkombëtare, që na  bënë të përkulemi me respekt, me pietetin më të lartë dhe me mirënjohjen tonë, të njerëzve të rëndomtë por të cilët dijnë dhe munden të vlerësojnë  cilësite fisnike, dellin e tij të cmuar për të njohur të drejtën dhe të mirën për të gjithë njerëzit dhe popujt e vegjël, parimet e tij të pakontestueshme që e hijeshojnë deri në përsosje personalitetin e tij prej një zotërie të vërtetë, një xhentëllmeni por njëkohësisht edhe të një luftaraku të drejtë, të paepur dhe të guximshëm deri në cmenduri. Sepse, të kërcesh me parashutë në moshën nëntëdhjetë vjecare, në një kohë kur edhe shëndeti i tij ishte i rrënuar pothuajse, nuk është asgjë tjetër vecse një veprim për admirim dhe për lakmi. Nga ana tjetër, dhimbja e tij e shprehur pas vdekjes së bashkëshortes së tij Barbara, vetëm para gjashtë muaj, në formë të një deklarate se “dëshiron të shkojë te Barbara dhe Sindi” vajza e tyre tre vjecare e vdekur para shumë vitesh nga leukemia, tregojnë shpirtin e dit suptil dhe dhimbjen që përjetonte për më të dashurit e tij. Në fund të fundit, fotot e shpërndara të qenit të tij Labrador, të shtrirë pranë arkëmortit të Presidentit, duke shprehur pikëllimin e tij për humbjen e të zotit,    flasin edhe më shumë për njeriun të cilin të gjithë e donin dhe e respektonin si një politikan të vendosur dhe si një njeri në kuptimin më të mirë të fjalës. Ne, gjithsesi, do të dijmë të vlerësojmë vepren e tij. Sepse shqiptarët, me të gjitha dobësitë të cilat po na shpërfaqen kohëve të fundit, vetitë e trashëguara nga të parët, nga Kanuni apo të përcjellura gjenetikisht ndër shekuj, nuk i harrojmë: mikun duhet ruajtur, dashur dhe respektuar!

Pushofsh në paqe Zoti President!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test