​Vërshimet, situatë më e qetë në Pejë

Peja

​Vërshimet, situatë më e qetë në Pejë

Më: 21 nëntor 2022 Në ora: 15:39
Peja

Për dallim nga dje në Pejë situata është me qetë dhe ka rënie të nivelit të ujit në lumin Lumbardhë.

Në këtë komunë kryesisht janë evidentuar dëme materiale për të cilët tashmë komuna e Pejës ka themeluar një Komision për vlerësim të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e djeshme.

Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Pejë, Gani Krasniqi tha se falë investimeve që janë bërë në infrastrukturë qyteti i Pejës ka shpëtuar nga përmbytje më të mëdha. Ai tha se janë bërë dhjetëra intervenime në disa shtëpi pasi ka pasur vërshime të bodrumeve dhe oborreve, por për evakuime fatmirësisht nuk ka pasur nevojë.

Krasniqi: Kemi pasur intervenime në dhjetëra familje

“Investimet e duhura në vitet paraprake, sikur të mos kishin qenë ato, ne do të kishim një situatë tepër të keqe për dëmet që do të kishin ndodhur në komunën e Pejës. Prandaj falë investimeve që ka bërë komuna për parandalim sidomos në Lumin e Bardhë… Përkeqësimi i motit dhe reshjet e bëjnë të veten kemi pasur intervenime në dhjetëra familje, shërbimi i zjarrfikësve ka qenë i vazhdueshëm dhe dëmet kanë qenë të konsiderueshme për arsye se shumica e qytetarëve kanë pësuar duke iu futur uji brenda në bodrumet, pronat e tyre dhe shtëpitë e banimit… Kemi dëme edhe në ura dhe infrastrukturë, te kanalet e hapura që nuk kanë qenë të trajtuara ka pasur dëme sipërfaqësore dhe dëme që janë pritur për një situatë të tillë”, tha ai.

Krasniqi thotë për KosovaPress se tani situata është më e qetë, por kërkon me shumë kujdes nga banorët që të mos hedhin mbeturina në hapësira të rrjedhës së lumit.

Krasniqi: Evakuime serioze nuk ka pasur

Situata është e qetë. Për shkak të pakujdesisë së qytetarëve për shkak të hedhjes së mbeturinave në vende jo të duhura, vijmë te situata të tilla emergjente… Aktualisht të rrezikuar janë shumë pjesë të qytetit, por ato që frekuentojnë zonat e lumit Drini i Bardh dhe zona e “Asllan Çeshmes”, “Xhemajl Kadës” kemi edhe vendbanime rurale që kemi pasur dëme… Nuk ka qenë e nevojshme. Disa evakuime janë bërë kur qytetarët vetvetiu e kanë parë rrezikun me gjithë dëmtimin në pronat e tyre, por evakuime serioze nuk ka pasur”, theksoi ai.

Se, situata sot është me e qetë në komunën e Pejës sa i takon ujërave e tha edhe zëdhënësi i Komunës, Faik Zekaj i cili u shpreh se ka rënie të nivelit të ujit në Lumëbardhë. Zekaj tha se ka dëme materiale për të cilat tashmë është krijuar edhe një komision për vlerësimin e dëmeve.

Zekaj: Kryetari ka formuar një komision për vlerësimin e dëmeve

Rrjedha e lumit është qetësuar. Ka rënie të ujit në lumë… Për momentin sot është e qetë për shkak se janë ndalur edhe reshjet atmosferike. Gjatë ditës së djeshme kemi dalë në terren me tri ekipe… Gjendja ka qenë e rrezikuar për vërshime me disa përjashtime të dy-tri shtëpive dhe pjesa tjetër që ka marrë livadhe ose oborre të shtëpive, por nuk ka pasur dëme të shtëpive apo në njerëz që është kryesorja… Kryetari ka formuar një komision për vlerësimin e dëmeve dhe pastaj situatën do ta kemi më të saktë të vlerësimit të dëmeve”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat