Si filloi përleshja, Policia jep detaje për sulmin ndaj mjekëve në Prizren

Prizreni

Si filloi përleshja, Policia jep detaje për sulmin ndaj mjekëve në Prizren

Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 11:50
Foto ilustrim

Një përleshje ka ndodhur në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit, mbrëmjen e së shtunës. Si pasojë, lëndime trupore ka marrë stafi mjekësor dhe të dyshuarit.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, në orën 22:10, të së shtunës. Policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se përleshja ka ndodhur në mes shtatë personave, ku katër nga ta janë personel mjekësor.

“Është raportuar se në emergjencë ka ndodhë një përleshje në mes të tre të dyshuarve meshkuj kosovarë dhe katër personave personel mjekësor, sipas informatave njëri nga të dyshuarit ishte lënduar në Prishtinë dhe ka kërkuar ndihmë në Prizren, por stafi mjekësor nuk e ka trajtuar rastin dhe aty ka nisur fjalosja”, ka njoftuar policia.

Si pasojë e përleshjes, të lënduar kanë mbetur mjekët dhe të dyshuarit.

Policia ka njoftuar se janë arrestuar tre persona të dyshuar, ndërkaq pas intervistimit, njëri nga ta është dërguar në mbajtje.

“Si pasojë e përleshjes lëndime të lehta trupore kanë pësuar edhe stafi mjekësor edhe të dyshuarit. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit njëri nga ta është dërguar në mbajtje ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, bëhet e ditur në raportin e Policisë.

Ndërkohë, për sulmin ndaj personelit mjekësor në Prizren ka reaguar sot kryeministri Avdullah Hoti.

Hoti ka shkruar në Facebook se ky është një gjest i shëmtuar ndaj atyre që punojnë për të mbrojtur jetën e qytetarëve. 

“Ngjarja e mbrëmshme në Urgjencën e Spitalit të Prizrenit, ku familjarët kanë sulmuar fizikisht infermierët në detyrë është gjest i shëmtuar ndaj atyre që punojnë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i kanë sulmuar”, ka shkruar Hoti.

Hoti thotë se mjekët gjatë këtyre muajve kun po përballemi me pandeminë kanë dëshmuar përkushtim dhe duhet të vlerësohen, e jo të sulmohen.

I pari i ekzekutivit i ka ftuar organet e rendit të mbrojnë mantelbardhët dhe ta zbardhin sa më shpejtë këtë rast.

“E dënoj këtë sulm dhe çdo sjellje të pa dinjitetshme, e cila rrezikon integritetin fizik të personelit mjekësor. I ftoj organet e rendit që të vihen në mbrojtje të mantelbardhëve, ndërsa organet e drejtësisë që ta kryejnë detyrën e tyre shpejt”, ka shkruar Hoti.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat