Hoxhaj në Prizren: Me PDK në pushtet gjysma e popullatës do të vaksinohet me vaksinën antiCOVID këtë vit

Prizreni

Hoxhaj në Prizren: Me PDK në pushtet gjysma e popullatës do të vaksinohet me vaksinën antiCOVID këtë vit

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 22:13
Enver Hoxhaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka takuar sonte qytetarët e Prizrenit, ku ka prezantuar planin e Rimëkëmbjes.

Hoxhaj tha se PDK është e vetmja parti politike e cila ka program politik dhe vizion për ta rimëkëmbur Kosovën. Ai tha se prioritet të parë e kanë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Hoxhaj: Ekonomia është prioritet i programit të PDK-së

"Në këto zgjedhje jemi e vetmja parti politike që ka program politik, ne jemi e vetmja parti politike që ka vizion politik, ne jemi e vetmja parti politike e cila e dinë çka do të bëjë javën e parë, javën e dytë, javën e tretë, vitin e parë, dytë, tretë të katërt, meqë jemi parti e cila mbi të gjitha e ka interesin e Kosovës dhe kur e ki interesin e Kosovës del me program të qartë politik. Ne duam që, nën një, ta zhvillojmë ekonominë tonë, do të krijojmë vende të reja të punës, ne nuk mundemi me e rrit territorin, mundemi me e rrit ekonominë dhe mirëqenien, pika jonë programore e parë është ekonomia", tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka pasur kritika edhe sa i përket mungesës së vaksinimit të qytetarëve për COVID-19, derisa ka premtuar e me të kryeministër gjysma e popullatës do të vaksinohet gjatë këtij viti.

Hoxhaj: Brenda 2021 do ta vaksinojmë gjysmën e popullatës

"Ne duam që ta marrim në kontroll një virus i cili po merr jetë të njerëzve në Kosovë dhe në botë dhe nuk ka parti politike e cila e ka më të qartë se çka do të bëjë me parandalimin e përhapjes së virusit dhe me dhënien e vaksinës sikurse PDK. Po të ishte PDK në pushtet tash veçse vaksina do të ishte në Kosovë dhe një pjesë e popullatës sidomos të moshuarit do ta kishin mundësi ta marrin vaksinën. Unë ju premtoj që brenda 2021 ne do ta vaksinojmë gjysmën e popullatës sapo ta marrim qeverinë", tha ai.

Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka folur edhe për listën e kandidatëve për deputetë nga kjo parti, për të cilën tha se përbëhet me njerëzit më të mirë të vendit.

Hoxhaj: PDK ka njerëzit më të përgatitur për qeverisjen e vendit

"Këtu keni njerëz të cilët janë pjesë e listës si luftëtarë të UÇK-së, keni ish-të burgosur politikë, keni profesionistët më të mirë që i ka qyteti dhe Komuna e Prizrenit, keni përfaqësimin më të mirë të të gjitha moshave që me fol me juve me gjuhë sa më klasike në Prizren. Nuk është këtu vetëm ajka e Prizrenit, lista e kandidatëve për t'u bërë deputet në Kuvend të Kosovës është ajka e Kosovës, nuk ka parti politike e cila ka kandidat më të mirë, më të përgatitur, që i kanë të gjitha vlerat politike, morale, kombëtare, profesionale. Përkundër asaj që ne jemi gjenerata të ndryshme, kemi përvoja të ndryshme, ka dy projekte që na bashkojnë, një projekt është UÇK dhe PDK dhe një projekt i dytë është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli", tha ai.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat