​Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijët përurohet çerdhja e parë publike në Prizren

Prizreni

​Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijët përurohet çerdhja e parë publike në Prizren

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 16:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve qytetit i Prizrenit është bërë me çerdhe publike për herë të parë, pasi deri më sot kjo komunë nuk ka pasur asnjë institucion publik për arsim të hershëm.

Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm, kryeministri iAlbin Kurti dhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci.

Kryeministri Kurti u shpreh i kënaqur që tashmë edhe komuna e Prizrenit nga sot do të ketë një çerdhe publike ku do sistemohen 240 fëmijë në 12 paralele, 10 në gjuhën shqipe, një në atë boshnjake dhe një në gjuhën turke.

Kurti tha se përmirësimi i edukimit, rritja e cilësisë dhe ekselencës do të mbeten synim kryesor dhe betejë e vazhdueshme për qeverinë.

Kurti: Edukimi cilësor s’duhet të jetë privilegj për disa, por e drejtë për të gjithë

“Në programin tonë qeveritar ne i kemi kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve duke ndarë 20 euro në muaj për fëmijët nën moshën 2-vjeçare dhe jemi zotuar se në katër vjetët e ardhshëm do të hapim 160 çerdhe të reja. Këtë do ta bëjmë, sepse e ardhmja e fëmijëve tanë varet nga kujdesi dhe edukimi që ata e marrin sot. Edukimi cilësor nuk mund dhe nuk duhet të jetë privilegj për disa, por e drejtë e garantuar për të gjithë, në mënyrë që secili të realizojë potencialin e saj dhe të tij. Prandaj, sërish më vjen shumë mirë që familjet e tri kategorive të fëmijëve nuk do të kenë nevojë të paguajnë për këtë çerdhe që po e përurojmë sot: fëmijët e dëshmorëve, fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët e atyre të cilët janë në asistencë sociale. Është evidente se periudha e fëmijërisë së hershme është faza më e rëndësishme e zhvillimit të fëmijës që e përcakton mirëqenien, shëndetin, të mësuarit dhe sjelljen social-emocionale të një individi gjatë gjithë jetës. Shërbimet cilësore në fëmijërinë e hershme mund ta ndryshojnë trajektoren e zhvillimit të një fëmije, familjes dhe komunitetit në përgjithësi”, tha Kurti.

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci tha se ndërtimi i këtyre çerdheve ndikon në zhvillimin e fëmijës dhe garanton të ardhmen të suksesshme për secilin fëmijë.

Ajo përmendi edhe gjendjen jo të mirë në edukimin parashkollor, ku sipas statistikave zyrtare vetëm 7 për qind e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç vijojnë ndonjë formë të edukimit parashkollor, ndërkaq gjendja me grup-moshën 3-6 vjeç është 38 për qind.

Sa i përket shkallës së ulët të vijimit në edukimin parashkollor, ajo tha se e do ndërtojnë çerdhe të reja, dhe njëkohësisht do të bëjnë të mundur ndërtimin e një sistemi të drejtë të pagesës së shërbimeve në çerdhet publike.

Nagavci: Gjendja jo e mirë për edukimin parashkollor në Kosovë

“Për momentin gjendja në edukimin parashkollor në Kosovë nuk e kemi të mirë sipas statistikave përbënë vetëm 7 për qind e të gjithë fëmijëve 0 deri 5 vjet në edukimin parashkollor ndërsa për grup-moshën 3 deri 6-vjeç është diçka më mirë, por mbetet vetëm në 30 për qind me edukimin e hershëm gjithsesi jeni ndër vendet me shkallën më të ulët në edukimin parashkollor andaj edhe si qeveri e kemi pasur prioritet dhe është një nga qëllimet tona parësore dhe strategjike edhe përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm. Natyrisht që do të hapim çerdhe të reja, por njëkohësisht do të bëjmë të mundur edhe ndërtimin e një sistemi të drejtët ë pagesës për shërbime për çerdhet publike varësisht nga mundësisht financiare të familjeve”, tha Nagavci.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se si komunë janë angazhuar për funksionalizimin dhe hapjen e çerdheve publike në Prizren, e drejtë e cila sipas tij iu mohua qytetarëve për 20 vite. Haskuka tregoi edhe për projektet e tjera për ndërtimin e çerdheve publike për të cilat dha edhe afate për finalizimin e tyre.

Haskuka: Pas 3 vjetësh punë po e përuroj këtë çerdhe publike të parën në Prizren

“Sot pas tri vjetësh jemi në përurimin e çerdhes së parë publike, studimet tregojnë se fëmijët që kanë qasje në mësim të hershëm janë më të suksesshëm në arsim, në jetë dhe punë. Kjo e drejtë ishte e mohuar në Prizren për më shumë se 20 vjet dhe tani jemi duke e adresuar këtë problem duke ndërtuar çerdhe të reja. Çerdhja në lagjen Dardania ka përfunduar dhe së shpejti edhe atë do e funksionalizojmë. Çerdhja në Bajram Curr do të përfundojë në shtator ndërsa çerdhja në Ortakoll vazhdon të ndërtohet”, tha Haskuka.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot mori pjesë edhe në përurimin e projektit për elektrifikimin dhe ndriçimin e fshatit Kabash të Prizrenit si dhe vizitoi zonën ekonomike në këtë komunë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat