​RC-W restauron monumentin e NATO-s në Prizren

Prizreni

​RC-W restauron monumentin e NATO-s në Prizren

Më: 15 korrik 2022 Në ora: 11:05
Foto nga vendi i ngjarjes

Ka përfunduar sot projekti i Bashkëpunimit Civil dhe Ushtarak (CIMIC) në të cilin ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndimore (RC-W) kryen restaurimin e monumentit të NATO-s në lagjen "Bazhdarhane" në Prizren.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se në këtë ceremoni morën pjesë shefi i Shtabit të KFOR-it, gjeneral brigade John Boziecevic, komandanti i RC-W kolonel Marco Javarone dhe kryetari i Komunës, Shaqir Totaj.

Pas një thirrjeje të përzemërt të kryetarit të Komunes drejtuar Kol. Javarone me rastin e vizitës së tij të mëparshme në Komune, kontingjenti kombëtar vazhdoi me kryerjen e disa punimeve të mirëmbajtjes që përfshinë të gjithë zonën e monumentit dhe gjithashtu blerjen dhe zëvendësimin e flamujve të konsumuar dhe të vjetëruar.

Në fund të ceremonisë, kryetari Totaj shprehu mirënjohjen e thellë dhe të sinqertë për ndërhyrjen e kryer e cila i riktheu shkëlqimin një monumenti të ngritur dhe inauguruar në vitin 2010 për të falënderuar anëtarët e Traktatit të Atlantikut të Veriut për kontributin e tyre për çlirim dhe për ruajtjen e paqes në Kosovë.

Kontingjenti italian i misionit të KFOR-it, me përfundimin e projekteve të tij të bashkëpunimit civilo-ushtarak, do të vazhdojë të sigurojë përmbushjen e detyrës së misionit sipas diktateve të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë dhe një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

KFOR-i, me donacionet e tij si rezultat i projekteve të bashkëpunimit civilo-ushtarak, është pjesë aktive e përpjekjeve të përgjithshme të NATO-s për të mbështetur institucionet dhe komunitetet e Kosovës: në vitin 2021 Komanda e KFOR-it në Prishtinë zhvilloi 26 projekte CIMIC.

Edhe gjatë vitit 2022, KFOR-i do të vazhdojë të promovojë zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme dhe paqësore, përmes projekteve dhe donacioneve të CIMIC, dhe do të mbështesë, në të gjithë rajonin e Kosovës, çdo iniciativë që mund t'u garantojë brezave të tanishëm dhe të ardhshëm të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur, në përputhje me parimet e rezolutës 1244 të OKB-së të vitit 1999.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat