Mandati drejt fundit, por Prizreni ende pa nënkryetar për komunitete

Prizreni

Mandati drejt fundit, por Prizreni ende pa nënkryetar për komunitete

Më: 7 mars 2025 Në ora: 13:11
Foto ilustrim

Qeveria komunale e Prizrenit vazhdon që të funksionojë pa nënkryetarin nga radhët e komuniteteve, ndonëse ka hyrë në vitin e fundit të mandatit. Përpjekjet e deritanishme në këtë drejtim nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat duke e lënë këtë pozitë të zbraztë.

Madje në Raportin e punës për vitin 2024 të Komitetit për Komunitete, kjo çështje është listuar si sfidë.

“Çështja e nënkryetarit për komunitete në Prizren, mbetet çështje e pa përfunduar”, thuhet aty.

Kryesuesi i Komitetit për Komunitete, Ertan Simitçi ka deklaruar se në këtë aspekt nuk ka pasur ndonjë lëvizje të re gjatë vitit të shkuar. Duke raportuar para kuvendarëve të Prizrenit ai ka theksuar se “çështja e nënkryetarit si deri më tani, ka mbetur e pa zgjidhur”.

Anëtari i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Petrit Hoxhaj ka pyetur se “ku qëndron problemi”.

“Për herë të parë, Komuna e Prizrenit nuk po mund ta zgjedh nënkryetarin për komunitete”, ka thënë Hoxhaj.

Simitçi ka bërë të ditur se kjo çështje është diskutuar vite më parë në Komitetin për Komunitete, meqë ka qenë nevoja edhe për shfuqizimin e Udhëzimit të mëparshëm Administrativ.

Tani krejt varet te vullneti politik. Duhet të ulemi dhe të bisedojmë dhe ta gjejmë një zgjidhje. Kemi biseduar edhe me kryetarin dhe çështja ka mbetur pezull, nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim”, është shprehur Simitçi.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj në disa paraqitje ka shpjeguar se partitë politike të komuniteteve të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës nuk kanë arritur ndonjë ujdi për propozimin e një kandidati që do të merrte votat e nevojshme me ligj për postin e nënkryetarit nga radhët e komuniteteve.

Madje vite më parë ai pat propozuar që Ramiz Shabani të zgjidhet në këtë funksion. Por pjesa dërrmuese e kuvendarëve nga radhët e partive turke dhe boshnjake patën kundërshtuar një gjë të tillë.

Monitoruesi Eroll Shabani nga OJQ “EC Ma Ndryshe” ka theksuar se partitë e komuniteteve jo-shumicë përgjatë këtyre viteve nuk kanë arritur që të dalin përtej vijave të tyre partiake, për të arritur një zgjidhje për zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete.

“Ata kanë mundur ta gjejnë një konsensus, duke propozuar një person apolitik për këtë post, duke zhbllokuar kësisoj ngërçin dhe do të mundësonin që nënkryetari për komunitete t’i përfaqësonte interesat e të gjitha komuniteteve”, ka thënë Shabani.

Bazuar në dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, komunat, në të cilat të paktën 10 për qind e qytetarëve u përkasin komuniteteve joshumicë duhet që të kenë një nënkryetar për komunitete. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat