​Reparti i Kardiologjisë Invazive në Spitalin e Prizrenit me mbi 600 koronarografi

Prizreni

​Reparti i Kardiologjisë Invazive në Spitalin e Prizrenit me mbi 600 koronarografi

Më: 16 maj 2025 Në ora: 10:52
Foto ilustrim

Që nga funksionalizimi në qershor të vitit të kaluar, Reparti i Kardiologjisë Invazive pranë Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit ka realizuar rreth 640 koronarografi, nga të cilat 230 kanë përfunduar me vendosje stenti në zemër.

Ky repart, i cili posedon një nga infrastrukturat më moderne në rajon, po trajton pacientët jo vetëm të regjionit të Prizrenit, por edhe të sëmurëve nga pjesa tjetër e Kosovës.

Për të gjithë prizrenasit dhe jo vetëm që kanë telashe me zemrën në këtë repart ata mund t’i nënshtrohen tipit të ndërhyrjeve si koronarografi dhe stentime në zemër.

Shefi i repartit, Fazli Berisha, thekson se puna në këtë repart ka nisur me vetëm dy ditë në javë, por tashmë operacionet dhe trajtimet kryhen pesë ditë në javë.

“Kardiologjia Invazive në Spitalin e Prizrenit kemi filluar punën nga katërmbëdhjetë qershori i vitit 2024, nga 14 qershor deri më 9 janar kemi punuar dy herë në javë ku janë punuar raste elektive dhe rastet akute që kanë ardhur brenda 24 orëve. Ndërsa, nga nëntë dhjetori i vitit të kaluar kemi filluar pesë ditë në javë ku kemi punuar me listë elektive nga QKUK na kanë dërguar Klinika e Kardiologjisë ne kemi bërë përgatitjen, përpunimin e pacientëve dhe bashkë me ekipin nga QKUK janë punuar. Nga 1 janari i këtij viti kemi filluar po ashtu pesë herë në javë dhe çdo të shtunë mbahet kujdestari 24 orë për rastet akute stemi dhe nënstemi”, thotë ai.

Të gjitha ndërhyrjet e kryera në këtë repart të Kardiologjisë Invazive në Spitalin e Prizrenit janë kryer pa asnjë komplikim.

“Deri tani nga qershori i vitit të kaluar janë punuar diku 640 koronarografi prej tyre diku 230 PCI stentime, deri tani nuk kemi pas asnjë komplikim të vogël gjithçka ka shkuar pa komplikime... Deri para një muaji kemi punuar me listë të pritjes të regjionit të Dukagjinit ku kemi pasur pacientë nga Peja, Klina, Istogu kurse muajt e fundit kemi pacientë edhe nga Podujeva, Gjilani, Prishtina, Kaçaniku pothuajse nga të gjitha komunat e Kosovës”, thekson ai.

Reparti i Kardiologjisë Invazive në Prizren ka në dispozicion gjithsej pesë dhoma për pacientët që i nënshtrohen ndërhyrjeve kardiologjike.

Ndërsa, pajisjet në këtë repart janë ndër më të avancuara në rajon.

“Pajisja është e fjalës së fundit – angiografi, fillimisht është bërë përgatitja e sallës... Mund të themi se në nivel të Kosovës, por edhe në nivel ballkanik jemi konkurrent sa i përket pajisjeve dhe kushteve të punës... E kemi sallën e kateterizimit, i kemi pesë shtretër për pacientë... Në shërbimin e Kardiologjisë Invazive këtu në Spital të Prizrenit kryhet procedura e koronarografisë dhe PSI stentimi, nëse ka nevojë pacientë ekipi vendos nëse ka nevojë për stentim realizohet”, thotë kardiologu Berisha.

Investimet në infrastrukturë dhe blerja e pajisjeve është bërë nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat