Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Bashkëfinancimit me Zëvendësministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Elldin Uglari, për projektin “Zhvillimi i Shtigjeve për Turizëm, Kulturë dhe Rekreacion në Kalanë e Prizrenit”.
Ky projekt synon të forcojë potencialin turistik të qytetit përmes përmirësimit të infrastrukturës për vizitorët, duke krijuar shtigje të reja që mundësojnë eksplorimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Kalasë së Prizrenit.
Sipas autoriteteve lokale, investimi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të vizitorëve, përmirësimin e përvojës turistike si dhe ruajtjen e vlerave historike të një prej pikave më ikonike të qytetit.
“Ky është një hap konkret drejt zhvillimit të qëndrueshëm kulturor dhe ekonomik të rajonit tonë,” u shpreh nënkryetari Gashi pas nënshkrimit të marrëveshjes.