Nxënësit nga Novobërda vizitojnë asetet e trashëgimisë kulturore në Prizren

Prizreni

Nxënësit nga Novobërda vizitojnë asetet e trashëgimisë kulturore në Prizren

Më: 17 qershor 2025 Në ora: 14:31
Foto nga vendi i ngjarjes

Nxënësit e SHFMU “Asdreni” nga Komuna e Novobërdës kanë marrë pjesë në vizitën me karakter edukativ të realizuar nga organizata joqeveritare EC Ma Ndryshe në asetet e trashëgimisë kulturore në Prizren.

Vizita, sipas njoftimit nga EC Ma Ndryshe, është organizuar me qëllim të ndërgjegjësimit dhe edukimit të brezave të rinj për rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.

Nxënësit nga Novobërda gjatë vizitës kanë pasur mundësinë që të shohin nga afër monumente dhe artefakte të vlefshme historike, të ruajtura për të treguar historinë dhe identitetin kulturor të Prizrenit. Kësisoj ata kanë dëgjuar histori dhe rrëfime për Urën e Gurit, Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, sikurse edhe për Rrapin në Marash të Prizrenit. Njëherësh kanë vizituar edhe Muzeun Arkeologjik të Rajonit të Prizrenit. Prezantimet janë përqendruar në rëndësinë e këtyre vendeve historike, duke ndihmuar nxënësit të kuptojnë më mirë dhe të vlerësojnë trashëgiminë kulturore”, thuhet në njoftim.

EC ka bërë të ditur se si pjesë e këtij aktiviteti, nxënësit në formë dhurate kanë pranuar edhe lojën edukative “Mos u nxeh, Prizren!”, përmes të cilës mund të argëtohen dhe të mësojnë më tej për asetet e trashëgimisë kulturore në Prizren.

Vizita e nxënësve është realizuar në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni” që zbatohet nga EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat