Jupiteri e Saturni në bashkërendimin më të afërt që nga 1623-a

Shkencë & Teknologji

Jupiteri e Saturni në bashkërendimin më të afërt që nga 1623-a

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 22:56
Jupiteri e Saturni

Planetët do të afrohen aq shumë me njëri-tjetrin saqë mund të duken si një yll i vetëm. Deri në vitin 2080 planetët nuk do të afrohen më kaq shumë

Astronomët po mblidhen kudo për të qenë dëshmitarë të një spektakli të pashembullt, kur Jupiteri dhe Saturni e shënojnë afrimin më të madh me njëri-tjetrin gjatë natës, për ngjarjen që nuk ka ndodhur për gati 400 vjet.

Ngjarja madhështore do të ndodhë të hënën, kur dy planetët e sistemit diellor do të shfaqen krah për krah njëri-tjetrit në atë që njihet si “përafrimi i madh”.

Në të kaluarën e largët, bashkërendime të tilla të planetëve ishin konsideruar si paralajmërues të ngjarjeve që do të pasojnë, nisur prej zjarreve dhe vërshimeve të mëdha e deri te lindja e Krishtit dhe shkatërrimi i plotë i civilizimit.

Përafrimi do të shihet në orën 18:37 sipas kohës lokale në Mbretërinë e Bashkuar, por ngjarja do të mund të kapet në Britani nga ora 16:30 deri në 18:00, në distancën prej 15 shkallësh mbi horizontin e jugperëndimit. Duke e theksuar rrezikun se qielli mund të jetë me re, astronomët e kanë theksuar se dyshja e planetëve mund të shihet dy ditë pas kohës së pikës kulmuese.

Rrugët orbitale të dy planetëve të mëdhenj sigurojnë përafrime të mëdha çdo 20 vjet, por pjesa më e madhe e tyre nuk mund të shihet me sy të lirë, shkaku se ndodhin kryesisht ditës.

Të tjerat nuk janë ngjarje edhe aq mbresëlënëse, pasi që planetët nuk afrohen edhe aq shumë. Këtë vit përafrimi do të jetë më i madhi që nga 1623, viti kur shkrimet e mbledhura të Shekspirit ishin publikuar për herë të parë.

“Është shumë e veçantë t’i shohësh Jupiterin dhe Saturnin aq afër njëri-tjetrit”, ka thënë Emily Drabek-Maunder, astronome në Royal Observatory në Greenwich. “Është diçka shumë e bukur për të dalë dhe për ta parë”.

Planetët do të afrohen aq shumë me njëri-tjetrin saqë mund të duken si një yll i vetëm. Deri në vitin 2080 planetët nuk do të afrohen më kaq shumë.

Matthew Bate, profesor i astrofizikës teorike në Universitetin e Exeterit, ka vendosur një teleskop në kulmin e një ndërtese dhe provon t’i shfaqë live kapjet e tij të planetëve të shtunën apo të dielën, me anë të “Youtube”-s. Ngjarja e këtij viti ka rëndësi të veçantë, për shkak se nuk ka regjistrime se dikush ndonjëherë e ka parë një përafrim kaq të madh nëpërmjet një teleskopi.

“Nëse keni një teleskop të zakonshëm, relativisht të vogël, do të mund t’i shihni Jupiterin dhe Saturnin në kohën e njëjtë nëpërmjet okularit”, ka thënë ai. Nëpërmjet zmadhimit mesatar, hënat galiliane të Jupiterit (katër satelitët e tij të mëdhenj), unazat e Saturnit dhe hëna e tij e madhe, Titan, do të mund të jenë gjithashtu të dukshme.

“Më interesantja është që Galileo e ka parë së pari Jupiterin dhe Saturnin më 1610, pra 13 vjet më përpara përafrimit të fundit shumë të madh. Por nuk ka regjistrime se dikush e ka parë përafrimin e vitit 1623 nëpërmjet një teleskopi”, ka thënë ai.

Ekzistojnë të paktën dy arsye të mira për këtë. E para, gjatë përafrimit të vitit 1623, Jupiteri dhe Saturni ishin afër diellit, kështu që ka mundur të afrohen kur ka qenë errësirë. “Tjetra, sigurisht, është se është shumë e rrezikshme që ta drejtoni një teleskop afër diellit”, ka thënë Bate.

“Për aq sa dimë deri më tani, askush këtë vit nuk i ka parë Jupiterin dhe Saturnin aq afër nga okulari i teleskopit”, ka shtuar ai.

Regjistrimet historike gjurmojnë përafrimet e tilla të paktën deri në shekullin e tetë. Por çiftëzimet kozmike i kanë rrëmbyer vëmendjet e shkencëtarëve për shumë shekuj më parë.

Astronomi gjerman, Johannes Kepler, ka vërejtur një përafrim të madh më 1603 dhe një supernova një vit më vonë.

“Këto përafrime janë ngjarje të mëdha për astrologët, por shkencërisht nuk kanë kurrfarë efekti në Tokë”, ka thënë Bate.

Përderisa ai shpreson ta shohë nga një kulm në Exter, astronomët nga Observatori Mbretëror në Greenwich nuk janë aq fatlumë me ambientin e tyre.

Pika kulmuese e përafrimit të madh ndodh në orën 18:37, sipas kohës në Mbretërinë e Bashkuar, të së hënës së 21 dhjetorit, por koha e saktë nuk ka shumë rëndësi. Nga 19 deri në 23 dhjetor planetët do të shihen të afruar.

Në Mbretërinë e Bashkuar, dielli perëndon rreth orës 16:00 dhe koha më e mirë për ta parë përafrimin është rreth një orë e gjysmë më vonë, deri në 17:30. Nëse retë nuk e prishin këtë shfaqje, planetët do të duken si dy pika të ndritshme – madje edhe në qytetet shumë të ndritshme – rreth 10 deri 15 shkallë mbi horizont.

Planetët do të jenë të dukshëm edhe me sy, shumë afër njëri-tjetrit, por jo edhe hënat e Jupiterit apo unazat e Saturnit. Të armatosur me një palë binokularë të mirë – me madhësi prej 7 apo 8 herë – mund të shihen katër hënat e mëdha të Jupiterit.

Një teleskop i vogël me zmadhim prej 50 herë duhet t’i kapë dy planetët, hënat galiliane të Jupiterit, unazat e Saturnit dhe mundësisht edhe disa nga hënat e tij.

Një tjetër mundësi është që krejt kjo ngjarje të përcillet online. Disa grupe të astronomisë nëpër tërë botën kanë planifikuar që ta shfaqin drejtpërdrejt këtë ngjarje.

Astronomët nga Universiteti i Exeterit synojnë që ta kenë shfaqjen e drejtpërdrejtë të teleskopit të tyre në “YouTube” të shtunën apo të dielën para ngjarjes kryesore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat