Pak ditë pas lançimit të gjeneratorit më të avancuar të imazheve të Inteligjencën Artificiale (AI) nga OpenAI, një trend në rrjetet sociale që imiton punën e studios japoneze të animacionit, Studio Ghibli, ka treguar fuqinë e teknologjisë dhe shqetësimet lidhur me të drejtat e autorit, shkruan CNN.
Përditësimi i fundit i GPT-4o, i lëshuar të martën, ka përfshirë përmirësime të shumta, duke përfshirë përpunimin më të saktë të tekstit dhe mundësinë për të ndjekur kërkesa më të detajuara.
Një stil që shpërtheu shpejt në X dhe Instagram është ai i Studio Ghibli, ku përdoruesit e ChatGPT (dhe shërbimit OpenAI për tekst në video – Sora) filluan të imitojnë punën e kësaj studioje të dashur, e njohur për filma si “Spirited Away” dhe “Howl’s Moving Castle”, përcjell KosovaPress.
Megjithatë, kjo ka ringjallur diskutime për rolin e AI-së në art, veçanërisht për shqetësimet lidhur me të drejtat e autorit. Ky trend ka nxitur reagime të ndryshme, përfshirë një video të vitit 2016 ku bashkëthemeluesi i Studio Ghibli, Hayao Miyazaki, e cilëson artin e krijuar nga AI si një “fyerje ndaj vetë jetës”. Ai shprehet se nuk do të dëshironte ta përdorte këtë teknologji në punën e tij.
Po ashtu, CEO i OpenAI, Sam Altman, ka bërë shaka për këtë fenomen, duke thënë se pas një dekade përpjekjesh për të zhvilluar inteligjencën artificiale për të shpëtuar jetën, ai kishte marrë më shumë vëmendje për imazhet në stilin Ghibli.
Ky rast sugjeron që teknologjia mund të krijojë vepra të ngjashme me ato që janë tashmë të mbrojtura nga ligjet e të drejtave të autorit.