Bitcoin tani po tregtohet afërsisht me 118 mijë dollarë, pak më shumë se pesë për qind nën nivelin e tij më të lartë historik, në mes të një vale akumulimi në gjithë rrjetin, shkruan CoinDesk.
Të dhënat on-chain nga Glassnode tregojnë se pothuajse të gjitha grupet e portofoleve nga investitorët e vegjël që mbajnë më pak se një bitcoin deri te balenat institucionale me më shumë se dhjetë mijë monedha, po regjistrojnë tani një Vlerësim Trend Akumulimi prej një në total.
Ky vlerësim pasqyron forcën relative të akumulimit neto gjatë pesëmbëdhjetë ditëve të fundit, i rregulluar sipas madhësisë së portofolit dhe aktivitetit të entitetit.
Një vlerë afër një tregon se një grup është duke akumuluar BTC në mënyrë agresive, ndërsa vlerat afër zero sugjerojnë shpërndarje. Kjo sjellje e unifikuar blerjeje në pothuajse çdo grup është paksa e rrallë, dhe është parë më herët në nëntor dymijenjëzetekatër dhe maj dymijenjëzetepesë. Në mënyrë të veçantë, portofolët më të vegjël që mbajnë më pak se njëqind BTC po luajnë një rol kritik në këtë trend, transmeton KosovaPress.
Të njohur si grupet crab dhe fish, këta portofolë po blejnë së bashku BTC me një normë prej 19 mijë e treqind BTC në muaj, sipas të dhënave të Glassnode. Kjo kërkesë tani tejkalon emetimin mujor të monedhave të reja, i cili është vetëm 13 mijë e 400 BTC.
Në efekt, vetëm investitorët retail dhe ata me madhësi mesatare po absorbojnë më shumë se 100 për qind të furnizimit të ri, duke krijuar një efekt ngushtimi në monedhat e disponueshme në qarkullim.