Janar-shtator, mbi 80 mijë vizitorë në Kalanë Rozafa

Shkodra

Janar-shtator, mbi 80 mijë vizitorë në Kalanë Rozafa

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 07:39
Kalaja Rozafa

Kalaja Rozafa është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në vend. Në periudhën janar-shtator të këtij viti e kanë vizituar mbi 80 mijë vizitorë. Kjo bëhet me dije nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, sipas së cilës edhe për muajin shtator ka një rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me një vit më parë të së njëjtës periudhë kohe.

“Vizitorët në Kalanë Rozafa kanë vijuar me ecurinë pozitive në muajin Shtator 2022 edhe në krahasim me vitin paraardhës 2021, duke reflektuar rritje të konsiderueshme të vizitorëve vendas dhe të huaj. 12.449 vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë Kalanë Rozafa gjatë muajit shtator 2022, ose +5.254 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2021. Kalaja Rozafa, mbetet një nga destinacionet turistike më të vizitueshme në të gjithë Shqipërinë ku për periudhën janar- shtator 2022, është vizituar nga mbi 80.000 vizitorë”, thuhet nga DRTK Shkodër.

Kalaja e Shkodrës (Rozafa) është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës, e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Sipërfaqja e brendshme e kalasë ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre.

Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Në muret dalës të tij, ka të dala drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë, duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat