E plotë: Zbardhet dëshmia që fundos Lul Berishën dhe Emiliano Shullazin

Shqipëria

E plotë: Zbardhet dëshmia që fundos Lul Berishën dhe Emiliano Shullazin

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 11:26
Fotografi ilustruese

SPAK shpalli në kërkim Lulzim Berishën dhe Viktor Ymerin për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit me bombë me telekomandë vendosur në ashensor në vitin 2005 në Tiranë. I akuzuar për ngjarjen është edhe Emiljano Shullazi.

Akuzat ndaj tyre janë ngritur pas dëshmisë së njërit prej personave, Luftëtar Reçi, që ka përgatitur tritolin, me të cilin u vra Lamaj.

Reçi është zbërthyer para prokurorisë duke rrëfyer gjithçka.

Ora News ka siguruar të plotë dëshminë e tij, pjesa nga e cila ju sjellim edhe më poshtë:

“Në fillim të shkurtit kam takuar në Tiranë Lul Berishën. Takimi u realizua ne vendin e quajtur stacioni i trenit ne Tiranë, vend ku unë kisha nje kazino timen.  Gjatë takimit Luli më ofroi një marrëveshje sipas së cilës unë duhej të vrisja shtetasin Klodian Saliu dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim.. Ata më thanë se  Klodian Saliu e kishte kundershtuar dhe kishin frike se mos i vriste”, ka thënë Luftëtar Reçi.

Një tjetër pikë e fortë në këtë dëshmi është moment kur tregon se si ish kreu i Bandës së Durrësit Lulzim Berisha i ka kërkuar Luftar Reçit, në shkurt të vitit 2005, që ti gjejë kallëpe tritoli për vrasjen e Vajdin Lamajt.

Bombën, siç tregon ai, e ka përgatitur bashkë me Indrit Taullain, i cili i ka thënë se bomba duhej për të shpërthyer një makinë.

“Kam pasur lidhje shoqërore ne Lul Berishën, Indrit Taulla, Lenti (Plarent Dervishi). Berishën e kam njohur në 1994, ndërsa Plarent Dervishin dhe Indrit Taullain i kam njohur vonë sepse ishte njohje dhe miqësi e ngushtë e Lulëzim Berishës. Kujtoj se ka qenë muaji shkurti vitit 2005, besoj nga mesi i  muajit, më ka telefonuar nga numri i tij celular te numri im celular shtetasi Lulzim Berisha.

Luli më tha më gjej mua nga ato të “nëntat” (që ishin kallëpe tritoli) ku bëhej fjalë  për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vete fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrsija fëmijët. Luli ishte në dijeni të kësaj ngjarje se më kishte treguar vetë dhe kishte mësuar nga unë se J… më kishte përgatitu minat për ngjarjen e Dibrës dhe për këtë arsye më kërkoi  një minë për veten e tij. Për të  përgatitur minat me telekomandë më ka ndihmuar nipi im që quhet.,.. i cili është vrarë në vitin 2002″,  rrëfen ai në dëshminë e tij.

Bombën me të cilën është kryer vrasja e Vajdin Lamajt, Reçi thotë se ia ka dorëzuar Emiljano Shullazit. Pasi ka marrë vesh nga mediet se u vra Vajdin Lame me shpërthim, ka telefonuar Lul Berishën  i cili i ka thënë se ishte në Turqi dhe kjo ishte punë e Indritit.

Ai tregon se Viktor Ymeri, i cili është një tjetër i arrestuar, i ka thënë se për vrasjen e Vajdin Lamajt e ka gjetur ai njeriun nga burgu dhe jo banda e Emiljano Shullazit.

“Viktori më tha se edhe kur u vra Vajdini unë nga burgu i gjeta njeriun që e mbaroi punën e vrasjes  së Vajdinit se ata nuk ia kanë haberin dhe dinë vetëm me u hap bythësh (për bandën e SHullazit)”, ka thënë ai.

Hetimet për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve, por më pas, pas dëshmisë së të penduarit është bërë e mundur zbardhja e vrasjes së Klodjan Saliut, Vajdin Lamajt, ku vdiq dhe miku i tij Artan Arsi.

SPAK ka rifilluar hetimet dhe ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm. Ndërkohë Lulzim Berisha akuzohet gjithashtu dhe për vrasjen e Klodjan Saliut dhe Osman Truma.

Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në datat 26 shkurt dhe 27 shkurt të vitit 2005, pa kaluar as 24 orë nga njëra-tjetra.

Lul Berisha dhe Plarent Dervishaj (kunati i Berishës) aktualisht janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Indrit Taullai, Luftar Reçi (i penduar), Viktor Ymeri dhe Emiljano Shullazi janë arrestuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat