Fiskalizimi do ta ndryshojë tregtinë online, ja rregullat e reja

Shqipëria

Fiskalizimi do ta ndryshojë tregtinë online, ja rregullat e reja

Më: 14 janar 2021 Në ora: 19:07

Tregu i shitjeve online do të ndryshojë për shkak të Procesit të Fiskalizimit që ka filluar prej datës 1 Janar 2021. Efekti i parë do të jetë formalizimi  i tregut, pasi sistemi i ri nuk lejon qarkullimin e mallrave pa faturë. Të gjitha transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe organeve publike do të fiskalizohen.

Si do të kryhet fiskalizimi për shitjet në internet dhe dyqanet në internet?

Për të gjitha transaksionet me para në dorë printimi i një fature është i detyrueshëm, përveç shërbimeve elektronike, ose kur furnizimi i mallrave ose shërbimeve është kontraktuar dhe ngarkuar me detyrim për t’u paguar përmes një aplikacioni celular, dyqan në internet, ose të ngjashme. Në këto raste fatura nuk ka pse të printohet në letër, por mund t’i dërgohet blerësit ose marrësit të faturës, me postë elektronike ose si faturë elektronike.

Në dallim tatimpagues për shitjet e mallrave dhe shërbimeve, me para në dorë, subjekteve të tregtisë online nuk do t’u duhet printeri, por duhet të instalojnë një program kompjuterik për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, po ashtu ju duhet një çertifikatë dixhitale për nënshkrimin elektronik.

Pagesat me kartë krediti

Më parë, sipas Ligjit për Procedurat Tatimore, pagesat e bëra me kartë krediti nuk konsideroheshin “pagesa të parave të gatshme”.

Sipas rregullit të ri të Tatimeve, në transaksionin pa para në dorë, subjekti do të jetë i detyruar të lëshojë një faturë elektronike. Kartat e kreditit dhe të debitit konsiderohen të jenë pagesa të parave të gatshme. Pra, nuk do të ketë përjashtim për shitjet me pakicë ose në përgjithësi për pagesa të paguara përmes kartave në POS, fatura do të lëshohet si në versionin elektronik.

Në kuadër të veprimtarisë ekonomike të tyre, ndodh që kompanitë të blejnë shërbime jashtë vendit, të cilët nuk kanë seli. Subjektet do të aplikojnë reverse charge, me përjashtim të rasteve kur fatura nga shitësi është një faturë elektronike.

Përgjigja e autoriteteve është se nuk ka përjashtime. Fatura elektronike duhet të shkëmbehet përmes platformës qendrore, dhe nëse nuk është në formën e caktuar në përputhje me standardin, ajo do të refuzohet.

Edhe në rastin e blerjes së mallrave nga jorezidentët, të cilat janë të shoqëruara edhe nga deklarata doganore e importit, shkëmbimi i e-faturës do të jetë i detyrueshëm nëpërmjet platformës qendrore të faturave.

 Si funksionon në rastet e shitjes derë më derë?

Ligji ka marrë në konsideratë, që distributorët në të njëjtin mjet mund të kenë mall të destinuar për shitje në disa pika blerjeje, tek të cilat krahas ndryshimit të adresës, ndryshojnë edhe çmimet në varësi të llojit të marrëveshjes për çmimet. Eshtë mundësia që të plotësohet fatura e transportit përpara (me të dhënat e mallit që përmbahet në mjetin e transportit). Data e lëshimit të faturës do të jetë data reale (kur ajo u krijua dhe lëshua në të vërtetë) dhe data e pritshme e dorëzimit do të futet në një fushë: data ose periudha e dorëzimit të mallrave ose shërbimeve.

Për shitje derë më derë, kur shitësi merr mallrat nga magazina në një automjet transporti atëherë do të duhet të lëshojë faturë shoqëruese. Më vonë, kur ai realisht ia shet mallrat një konsumatori, ai do të duhet të lëshojë dhe fiskalizojë faturën në momentin e shitjes. Informaliteti në tregtinë online

Informaliteti është i përhapur në tregtinë online të mallrave. Aktiviteti i shitjeve online është i përqendruar kryesisht në rrjetin social Intagram, por edhe në Facebook. Shumë prej këtyre tregtarëve nuk figurojnë të regjistruar si biznes. Këta tregtarë do të duhet të pajisen me kasë të paguajnë sigurimet dhe taksat lokale. Po ashtu regjistrimi do të kërkonte një adresë të dyqanit fizik.

Gjithsesi nga 1 janari 2021, pakësohen detyrimet ndaj shtetit. Zerohet tatimfitimi për bizneset deri në 14 milionë lekë xhiro, për 9 vjet. Pjesa më e madhe e atyre që synojnë tregun e-commerce, kërkojnë të vetëpunësohen ose të krijojnë një dyqan online. Bizneset në Tiranë shfrytëzojnë platformat e gatshme për të hyrë në tregun online.

Postat, dërgesat në rritje

Tregu online është i lidhur ngushtë me shërbimin postar. Dërgesat e porosive nga shitjet online, që kryhen kryesisht nëpërmjet operatorëve postarë, kanë shënuar rritje dyshifrore. Shumë operatorë postarë kanë marrë rolin e aktorit aktiv dhe kryesor në tregtinë elektronike të vendit ku ata operojnë, duke u shndërruar në operatorë shitës dhe duke mbyllur ciklin door-to-door. Por edhe në këtë sektor ka një shkallë të lartë informaliteti.

Pjesa më e madhe e bizneseve për dërgesat brenda Tiranës punësojnë individë të palicencuar për këto shërbime. Ndërsa për dërgesat në rrethe, por edhe jashtë vendit, funksionon ende dërgimi i pakove nëpërmjet operatorëve të transportit. Thuajse mbi 90% e shitjeve online bëhen me para në dorë (cash-on-delivery).

Karantina shtoi me 20% shitësit online

Karantina nxiti e-commerce në Shqipëri, ku bizneset u përpoqën që të përshtateshin me kushtet që kishin drejt një tregtie online.

Ajo nuk kishte formën origjinale të konceptit që përfaqëson e-commerce. Kjo valë përfshiu nga rrjetet e supermarketeve tek ato të pajisjeve sportive apo të rrobave. Një anketë e Bankës Botërore me Sipërmarrjet për vitin 2020 tregon se 20 për qind e firmave shqiptare të anketuara ose kanë nisur ose kanë rritur aktivitetin e biznesit online gjatë pandemisë së COVID-19. Në një anketë me konsumatorët Banka Botërore tregoi se 55 për qind e të anketuarve ishin përgjigjur se kishin rritur përdorimin e shoppin-ut online që nga nisja e pandemisë.

Besimi i klientëve

Banka Botërore i kërkon qeverisë të bëjë një fushatë informimi për formalizmin e shitësve online dhe që ueb-dyqanet e tyre përmbushin kërkesat ligjore. Po kështu zbatimi i një kornize për mbrojtjen e konsumatorit, e përshtatshme për epokën dixhitale, përfshirë përmes një mekanizmi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në internet dhe një fushate informimi kushtuar tregtisë online. Mund të prezantohet edhe një shërbim i thjeshtuar i kthimit të pakove të tregtisë elektronike që dyqanet në internet mund t’u ofrojnë klientëve të tyre në rast se produktet nuk përmbushin pritshmëritë, udhëzon Banka Botërore.

Platforma e Fiskalizimit

Ndërkaq, në e-Albania është publikuar Portali SelfCare, në versionin Test dhe Live. Tatimet inkurajojnë që fillimisht, të përdoret ky modul në versionin Test, me qëllim familiarizimin me funksionalitet e implementuara si dhe kryerjen e veprimeve testuese pa asnjë efekt në raportimin tatimor.

Ndërkohë që, në versionin Live do të mund të kryhen të gjitha veprimet e nevojshme për raportimet e fiskalizimit për të dhënat e njësisë së biznesit, operatorit, faturat e fiskalizuara, çeljen e arkës, etj.

Në fazën tranzitore mund të përdoret edhe portali Self Care nga bizneset derisa të blejnë softin.

Por, sa do t’ju kushtojë fiskalizimi bizneseve? Llogaritet një kosto që shkon nga 100 deri në 200 euro në vit.

Sa i takon kasave fiskale, tatimet, por edhe kompanitë që po merren me ndërtimin e softuerëve për zbatimin e fiskalizimit deklarojnë se do të bëhet përshtatja e tyre për të shërbyer si printera.

Sipas të dhënave të Tatimeve janë në total 7600 subjekte që do t’i nënshtrohen fiskalizimit në fazën e parë, një proces i cili pritet të reduktojë ndjeshëm informalitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat