Atentati mafioz në mes të kryeqytetit bosit të drogës, ja pistat e hetimit

Shqipëria

Atentati mafioz në mes të kryeqytetit bosit të drogës, ja pistat e hetimit

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 09:14
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryeqyteti i vendit kthehet edhe një herë në pistë krimi. Në mëngjesin e ditës së djeshme një atentat mafioz në qendër të Tiranës ka tronditur vendin. Viktima e atentatit ka qenë 66-vjeçari Behar Sefer (Sofia), me rekorde kriminale dhe me dosje hetimore në SPAK. Sofia u vra teksa ecte rrugës pranë shtëpisë së tij.

Ai u qëllua me dy plumba nga një armë zjarri me silenciator, ndërsa policia nuk ka arritur akoma të identifikojë autorët e krimit. Por emri i viktimës nuk ishte i panjohur për policinë shqiptare, pasi Sofia njihet si bos i trafikut të drogës i lidhur me bosin e mafies turke Abdulselam Turgut dhe ishte arrestuar para disa vitesh në Turqi për trafik droge. Policia po ndjek disa pista hetimi, ndër to edhe larja e hesapeve mes bandave kriminale.

Si ndodhi vrasja?

Mëngjesin e ditës së enjte në orën 9:00, 66-vjeçari po pinte një kafe në lokalin e një qendre tregtare në rrugën e Elbasanit, pranë Piramidës. Sapo është ngritur dhe ka ecur disa metra në trotuarin përballë Piramidës, ai është qëlluar nga afër, me një armë zjarri me silenciator, nga një autor ende i paidentifikuar.

Mësohet se viktimën e kanë kapur të paktën dy plumba që i kanë marrë jetën. Autorët dyshohet se lëviznin me makinë, kur kanë qëlluar drejt shënjestrës së tyre dhe më pas janë larguar drejt Rrugës së Elbasanit. Ka dyshime se atentatorët janë ndihmuar nga një person i tretë që ka gjurmuar lëvizjet e Behar Sofisë.

66-vjeçari ka ndërruar jetë disa minuta pas atentatit në autoambulancë, teksa po drejtohej me urgjencë në spitalin e Traumës. Autori mbetet ende i paidentifikuar dhe në kërkim. Grupi hetimor ka marrë ndërkohë dhe pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë të bizneseve dhe objekteve pranë vendit të ngjarjes. Deri në këto momente, nuk ka ende asnjë pistë hetimi zyrtare.

Kush ishte Behar Sofia?

Viktima e atentatit të djeshëm bënte jetën e një biznesmeni dhe kishte në pronësi disa lokale pranë Stadiumit Dinamo, por emri i tij ishte lakuar në disa nga ngjarjet më të mëdha kriminale në vend. Sofia është një emër i njohur për policinë si një person i përfshirë në aktivitete kriminale të drogës. Mësohet se ai kishte tre emra, Behar Seferi, Behar Sofia, Fatmir Sofia.

Ai më parë është arrestuar së bashku me Abdulselam Turgut duke u akuzuar për trafik droge nga Turqia në Shqipëri. Konkretisht, në vitin 1998 ai është arrestuar për llogari të autoriteteve turke i akuzuar për trafikim ndërkombëtar të drogës, kryesisht heroinës. Turgut u prangos më 18 shkurt të vitit 2011, një arrestim ky i finalizuar për llogari të shtetit gjerman.

Turgut akuzohej nga autoritetet gjermane për trafikimin e 1 ton droge, ndërkohë që kërkohet edhe nga Rumania, Austria, Holanda e Italia. Turgut, i cili veç akuzave për trafik ndërkombëtar droge ka lidhje edhe me krimin e organizuar në Shqipëri. Ndërkohë emri i turkut lakohet edhe për përfshirje në organizatë terroriste.

Celula terroriste ku bënte pjesë, mes të tjerash akuzohet për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta.

Sofia, sipas shtypit turk, ka qenë nën hetim bashkë me 5 persona të tjerë për planet për të futur një ngarkesë heroine edhe në Shqipëri, nëpërmjet një mjeti të ngarkuar me patate. Sofia ka pasur konflikte të vazhdueshme, ku kjo shpjegon edhe disa sulme që iu janë bërë bizneseve të tij me lëndë plasëse.

Po ashtu emri i 66-vjeçarit del në ngjarjen e gushtit 2009, ku në Durrës u vranë 4 policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin. Behari ka qenë i pranishëm në këtë ngjarje. Behar Sofia ishte i njohur me nofkën “Padrino i drogës”, për shkak të aktiviteteve kriminale në fushën e narkotikëve, dhe se së fundmi ishte duke u verifikuar për pastrim parash. Emri i viktimës në atentatin e djeshëm është i përfshirë dhe në një dosje të ngjarjeve të vitit 1997 në Berat.

Aktivizimi i krimit në nivele të larta në muajin shkurt

Atentati i djeshëm ku mbeti i vrarë Behar Sofia, i njohur si eksponent i trafikut të drogës, është i treti në radhë në pak ditë që kanë tronditur vendin. Përgjatë këtij muaji është riaktivizuar krimi mafioz në nivele të larta, duke marrë parasysh 3 atentatet në Tiranë, Fier e Kamëz.

Ngjarje kriminale që kanë tronditur vendin, dhe pikërisht atentati ndaj Behar Sofisë në Tiranë, shihet si një mesazh. Kjo për faktin se është kryer në mes të Tiranë, vetëm pak metra larg tre institucioneve të sigurisë së lartë, Kryeministri, Kuvendi dhe Presidenca.

Në fillim të muajit Shkurt në qytetin e Fierit u ekzekutua me armë zjarri Shkëlzen Kastrati, 40 vjeç, i cili po ashtu rezultonte si një person me të shkuar kriminale. 40-vjeçari me origjinë nga Kukësi ishte një emër i njohur për Policinë e Shtetit, për shkak të vëllait të tij.

Klement Kastrati, i vëllai i viktimës, i dënuar për plagosje dhe gjobëvënie në Belgjikë, rezulton si i përfshirë në një sagë hakmarrjeje me familjen Binjaku. Në vitin 2016, ai i shpëtoi një atentati në vendin e njohur si Ura e Mbrostarit, ku humbi jetën shoku i tij, Denis Kasaj.

Gjatë ditës së djeshme Forcat speciale të RENEA-s kanë zhvilluar një aksion policor në qytetin e Laçit lidhur me vrasjen e Kastratit. Forcat speciale kanë ushtruar kontrolle në disa vende me qëllim arrestimin e personave që mund të kenë qenë të përfshirë në atentat. Policia ka dyshime se në zonë mund të fshihen disa prej autorëve të ngjarjes. Për këtë vrasje, Policia e Shtetit ka deklaruar para disa ditësh se ka identifikuar të 4 autorët që morën pjesë në krim. Ata janë Albert Zaja, Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Roland Cara.

Më 9 shkurt një tjetër atentat do të trondiste qytetin e Kamzës, ku nga shpërthimi i telekomanduar me eksploziv mbeti i gjymtuar Gjon Mena. Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona për ngjarjen e ndodhur në 9 shkurt në Kamëz, ku iu vendos lëndë plasëse poshtë makinës shtetasit Gjon Mena.

Në pranga janë vendosur Gjergji Cukali, 42 vjeç, i njohur ndryshe dhe si “i forti i Myslym Shyrit” dhe dy vëllezër, Enver Jakimi, 33 vjeç dhe Edmond Jakimi 24 vjeç. Cukali besohet se është porositësi i vrasjes me eksploziv të mbetur në tentativë duke u premtuar 40 mijë euro dy vëllezërve, për eliminimin e Menas.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat