Mbyllja e Rinasit/ “Prilli perfekt, goditja politike është me e madhe”, zbulohen mesazhe të reja mes kontrollorëve

Shqipëria

Mbyllja e Rinasit/ “Prilli perfekt, goditja politike është me e madhe”, zbulohen mesazhe të reja mes kontrollorëve

Më: 9 prill 2021 Në ora: 21:02
Foto ilustrim

“Mesi i prillit është perfekt. Goditja është më e madhe politikisht sepse nuk kanë kohë ta amortizojnë”. Ky është vetëm njëri nga dhjetëra mesazhet e shkëmbyera mes kontrollorëve te Rinasit, të cilët me argumentin e “paaftësisë në punë”, bllokuan fluturimet në aeroportin e vetëm në vend, duke krijuar një situatë të paprecedentë.

Mesazhet e zbuluara në celularët e tre të arrestuarve, Muhin Mezini, Armand Fezga dhe Flora Ndreca bënë që prokuroria të ngrejë dyshime se bojkoti ishte i organizuar. Në dosje thuhet se të arrestuarit kanë koordinuar veprimet sipas një plani të caktuar, duke sjellë pasoja të rënda, pasi nxorën jashtë funksionit Kullën.

Të ndaluarit mohojnë të kenë ndikuar tek kontrollorët e tjerë, që të plotësonin deklaratën e paaftësisë së përkohshme në punë dhe sipas tyre, mbyllja e aeroportit erdhi për shkak se autoritetet kishin refuzuar të negocionin me ta, për çështjen e reduktimit të pagave, çka kishte sjellë akumulim të stresit tek të gjithë.


Argumentet e prokurorisë u kundërshtuan nga avokati Rezart Kthupi, i cili la të nënkuptohet se arrestimet janë të motivuara politikisht.

“Është një akuzë e ngritur për qëllime të ndryshme nga ai i respektimit të ligjit. Deduksionin e bëni ju”, tha avokati. Kthupi mohoi që të ndaluarit të kenë pasur ndikim mbi kontrollorët e tjerë, ndërsa theksoi se gjendja e tyre pas arrestimit është e rënduar.

Avokati nuk dha shpjegime nëse kontrollorët janë rikthyer në detyrë, ndërsa pyetjes se si ishte e mundur që të gjitha ata u “stresuan” dhe u bënë të paaftë për punë në të njëjtën ditë, iu përgjigj në këtë mënyrë:
“Po ligji nuk ka ndonjë pengesë se kur mund t’u lindë kontrollorëve paaftësia e përkohshme për punë. Mund t’u lindë që të gjithëve në të njëjtin moment, mund t’i lindë secilit individualisht në një moment të ndryshëm nga i të tjerëve”.

Përgjatë orëve të mbylljes së Kullës rezulton se një avion i nisur nga Athina drejt Tiranës u kthye mbrapsht, ndërsa u anuluan dhjetëra fluturime. Po, ndërsa prokuroria po vijon hetimet për ngjarjen, Gjykata e Tiranës ndërkohë nisi shqyrtimin e padisë së Sindikatës, e cila kundërshton vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë Albcontrol, firmosur në prill 2020, që iu reduktoi pagat kontrollorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat