Krimet e vjetra/ Ekzekutimi i kolonelit Arben Zylyftari në krye të detyrës, SPAK rihap hetimet

Shqipëria

Krimet e vjetra/ Ekzekutimi i kolonelit Arben Zylyftari në krye të detyrës, SPAK rihap hetimet

Më: 9 tetor 2021 Në ora: 08:48
Arben Zylyftari

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të rihapë hetimet për ekzekutimin e kolonelit Arben Zylyftari, i vrarë në krye të detyrës në Shkodër.

Mësohet se për këtë çështje do të ripyeten të gjithë personat që kanë dijeni për ngjarjen e rëndë, të ndodhur 21 vite më parë. SPAK pritet të marrë në pyetje ish-avokatin e Admir Tafilaj, i dënuar përjetë për vrasjen e ish-kryepolicit të Shkodrës. Sjellim në vëmendje që Tafilaj pretendon se ngjarja është e manipuluar dhe e pazbardhur nga drejtësia.

Kryepolici i Shkodrës, Arben Zylyftari, u vra në vitin 2000 në krye të detyrës me një breshëri plumbash automatiku gjatë një operacioni kundër dy personave në kërkim.

HETIMI, I PAPLOTE

Prokuroria nuk pati arritur të thellohej te ngjarja e 2 gushtit të vitit 2000, ku u ekzekutua në krye të detyrës Arben Zylyftari, duke lënë pas mistere dhe detaje të pazbardhura.

E duket se ky hetim i paplotë solli një armiqësi që vijoi më hakmarrje mes dy familjeve nga Shkodra, Pjetrushi e Tafili. Në dosjen e Prokurorisë, në lidhje me vrasjen e kolonel Zylyftarit dhe shtetasit Bahri Tafili, për të cilën vuan dënimin Genc Tafili, në atë kohë 22 vjeç, i dënuar më 25 vjet burg, thuhet se Zylyftari humbi jetën nga një plumb rikoshetë, që kishte dalë nga një armë automatike.

Por nga ekspertimi i gjurmëve të gishtave mbi armë ka rezultuar se ato nuk i përkasin të pandehurit Genci Tafili. Sipas ekspertimit, shenja përkon me gishtin e unazës së dorës së djathë të babait të tij, Bahri Tafili.

Pas vrasjes së Bahri Tafilit dhe dënimit të të birit, Genc Tafilit, në një hakmarrje të përgjakshme u plagos Prel Pjetrushi dhe më vonë iu vranë dy vëllezërit e tij. Që të tria aktet kanë autor Admir Tafilin, ku duhet nënvizuar se njëri nga vëllezërit e Pjetrushit ka qenë vetëm 16 vjeç.

PAQARTESIA

Një nga momentet më të diskutueshme në ngjarjen e 21 viteve më parë është vrasja e Bahri Tafilit, personit që askush nuk dëshmon që ka dijeni për mënyrën e vrasjes së tij. Sipas Prokurorisë, Bahri Tafili ka lënë të birin në kasolle dhe ka dalë përjashta duke qëlluar me breshëri ndaj Policisë dhe rreth 8 metra nga dera është vrarë.

“Pas transportimit të drejtorit për në spital, FNSH-ja ka rimarrë veten duke marrë pozicione luftimi dhe pas 2-3 minutash Bahri Tafili ka dalë me armë në dorë nga kasollja duke bërë hapa përpara dhe duke qëlluar në drejtim të Policisë, për të çarë rrethimin dhe disa metra larg kasolles si kundërpërgjigje nga Policia, ka mbetur i vrarë. Kurse i pandehuri Genc Tafili pas pak ka kërkuar që të dorëzohej.

I është kërkuar nga Policia që të hidhte armën nga dritarja dhe i pandehuri Genc Tafili, pasi hodhi armën, ka dalë me duart lart duke iu afruar Policisë. Më pas është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër”, thuhet në dosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat