Aludimet për pazar PS- PD për Vettingun/ Basha përplaset ashpër me Bylykbashin

Shqipëria

Aludimet për pazar PS- PD për Vettingun/ Basha përplaset ashpër me Bylykbashin

Më: 10 tetor 2021 Në ora: 22:14
Oerd Bylykbashi

Aludimet e deputetit demokrat Oerd Bylykbashi për një pazar PS-PD për zgjatjen e afateve të organeve të Vettingut në këmbim të shtimit të disa Bashkive në hartën Territoriale ka shkaktuar përplasje të ashpra në mbledhjen e Kryesisë së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, raporton Top Channel.

Mbrëmjen e kësaj të diele, raporton Top Channel, kupola drejtuese e grupit parlamentar demokrat i ka kërkuar Oerd Bylykbashit të tregojë nëse është kontaktuar nga mazhoranca për këtë çështje.

Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve ka mohuar të jetë kontaktuar nga mazhoranca , dhe se në qëndrimet e tij i është referuar deklarimeve te kryetarit te grupit socialist Taulant Balla, mëson Top Channel.

Lulzim Basha me tone të ashpra ka kritikuar qëndrimet publike te deputetit Bylykbashi me argumentin se dëmtojnë  partinë në këto momente.

Shkëndija e përplasjes mes Lulzim Bashës dhe Oerd Bylykbashit u bë një shkrim i deputetit demokrat ku fliste për një pazar që kryeministri Edi Rama po i ofron Partisë Demokratike për reformën në drejtësi.

Selia blu mohoi zyrtarisht ekzistencën e një diskutimi jo vetëm me Partinë Socialiste, por edhe partnerët ndërkombëtarë.

Mbledhjet e kryesisë së grupit parlamentar kohët e fundit janë shoqëruar me debate te forta mes kryetarit demokrat dhe deputeteve të cilët publikisht janë rreshtuar krah Sali Berishes, që kërkon shkarkimin e Lulzim Bashës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat