Basha kërkon t`i hapet rrugë vetingut të politikanëve

Shqipëria

Basha kërkon t`i hapet rrugë vetingut të politikanëve

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 12:40
Lulzim Basha

Kryetari i PD-së Lulzim Basha kërkoi sot në Kuvend që t’i hapet rrugë vetingut të politikanëve.

Duke iu drejtuar kryeministri Rama, Basha tha se “ti nuk ju gjendesh njerëzve në fatkeqësi, ti i shikon ata vetëm si votues, të cilët duhet t’i shantazhosh, t’i blesh, t’i intimidosh, t’i fiksosh që të mbash me çdo kusht pushtetin”.

“Kjo është marrë vesh botërisht dhe arsyeja e vetme për të qenë në këtë sall nuk është për të bërë lojëra fjalësh me ty, se ty ta kanë pirë lëngun të gjithë. Qëllimi ynë është që me rrugën më pak të dhimbshme për shqiptarët, të largojmë nga kjo sallë ty dhe të gjitha kalorësit e krimit të korrupsionit dhe të ja kthejmë këtë sallë shqiptarëve, që vendimet që do të merren nga kjo sallë të merren për shqiptarët dhe që kjo të ndodh duhet patjetër që ne të ndryshojmë ligjin themelor të vendit dhe t’i hapim rrugë asaj që ti e ke frikë, si djalli temjanin, vetingut të politikanëve”, theksoi ai.

“Se çfarë katastrofe ka qenë keqadministrimi dhe korrupsioni me të ashtuquajturin rindërtim, por dhe me pandeminë, këtë shqiptarët e njohin në lëkurën e tyre. Dhe pavarësisht se janë harxhuar më shumë para dhe kohë televizive për gënjeshtrat, reklamë dhe propagandë, sërish disa fakte nuk shlyhen dot se janë aty në mëngjes kur njerëzi çohen akoma në çadra, apo në banesat e të afërmve ku jetojnë prej dy vitesh, apo në banesa me qira që nuk financohen nga bonusi i premtuar”, u shpreh kreu i PD-së.

“Janë akoma larg pallateve të rrafshuara në Kombinat, kur ndërkohë zona që do të shpronësoje për të ndërtuar pallatet, akoma nuk është shpronësuar, por sigurish hajdutët e fatkeqësisë kanë bërë gati planin se aty ku rrafshuan pallatet të ndërtojnë projektin e radhës për të pastruar parat që zyrtarët e lartë të kësaj qeverie dhe këtij regjimi i kanë zhvatur shqiptarëve”, tha ai.

Basha shtoi se “nëse ka diçka për të mbajtur duart në hundë është era e kërmës që qelb këtë sallë. E regjimit të instaluar duke blerë vota, duke shkrirë në një shtetin me partinë dhe të parit të këtij regjimi që krekose mbi këtë pleh që s’ka lidhje as me demokracinë, as me shtetin e së drejtës, as me aspirata e shqiptarëve për një jetë më të mirë, as me aspiratën kombëtarë për të udhëtuar drejtë destinacionit evropian dhe as me pandeminë, por vetëm me babëzinë, babëzinë për pushtet”.

Basha thekson se Shqipëria ka numrin më të lartë të të vdekurve nga pandemia.

“Le të kthehemi dhe një herë te hallexhinjtë e tërmeti, që njësoj si pandemia që i keni bërë mis për top. Sepse edhe në kohë pandemie vodhët parat që duhet të shkonin për gjerat më bazike. Sollët medikamente të skaduara. Shpallet sekret kombëtarë tenderat, për blerjen e maskat, ndërkohë që nxirrnit autoblindat në rrugë dhe ti dilje nga mikrovala në “frigorifer”, se në televizor ishe gjithë ditë si gogol për t’u thënë shqiptarëve rrini brenda. Sa të ka shkuar numri i vdekjeve sot? Krahasuar me mesataren e para 3 viteve? Ke lexuar gjë raportin e FMN-së? Kur haje hallvë në Egjipt, që sot jemi vendi me numrin më të lartë të të vdekurve. Ata dhjetëra mijë nëna, baballarë, birë dhe bija, gjyshër, gjyshe që në vend që të jenë në shtëpitë e tyre kallen varrezave”, tha ai.

Basha thekson se me tenderat e tuaj nuk ka konkurrencë.

“Për sa i përket tenderave dhe që kërkon të flasë me shufra, të vetmet tendera me procedura korrekte janë ato të zhvilluar me fondet e BE. Tarafit e tua dihen, merr në çdo tender mbi 1 milionë euro, ato tarifa i dinë gjithë Tiranë. Prandaj fondet e BE nuk të pëlqejnë se fonde e BE-së kanë disa rregulla sepse nuk e bënë dot ti tenderin me një ofertues, dhe nuk e hedh dot në limit 99.9%. Kështu merri ato letrat kudo ku i ke futur. Ndoshta i ke akoma te zyra e z/kryeministri, ndoshta Tigri i ka djegur?! Ndoshta ka ruajtur ndonjë kopje, merri shiko pak sesi me tenderat e tua nuk ka konkurrencë se i ke përcaktuar ti. Ai, do marri këtë, ai do marrë këtë. Pastaj ke përcaktuar jo vetëm ryshfetin, por si do ndahet. Vëmendje ke gjithmonë për pronarët e ekraneve që të bëjnë fresk nga mëngjesi deri në darkë. Ky është sistemi që ke ndërtuar ti dhe ky sistem do ta mbash në këmbë me çdo kusht. Me patronazhit me lekët për tërmetin. Ti bënë sikur nuk i sheh. Por ja çfarë thinj faktet. Java zgjedhore, bashkia Durrës ndanë 6 milion euro. Transferta për individin 89 herë më shumë se kishe ndarë për këtë kategori shpenzimi nga dhjetori 2019 deri mars 2021, për 15 muaj. E pra po të krahasojmë pagesat për këtë kategori shpenzimi nga 1 dhjetori 2019, që është muaj i parë i pasojave të tërmetit deri 25 mars 2021 dita e parë e fushatës vlera e ekzekutimeve ishte vetëm 6 milionë 637 mijë lekë të reja. Krejt ndryshe një jave para zgjedhjeve, sepse ti nuk u gjendesh njerëzve në fatkeqësi, ti i she ata si votues”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat