Mjekët do të përfitojnë bonusin 1 mijë euro deri në përfundimin e pandemisë

Shqipëria

Mjekët do të përfitojnë bonusin 1 mijë euro deri në përfundimin e pandemisë

Më: 18 janar 2022 Në ora: 08:57
Ilustrim

Në fokus të qeverisë, masat që pritet të vijojnë të merren në mbrojtje të popullatës deri në përfundimin e pandemisë do të jetë sigurimi i vaksinave për dhënien e dozës të tretë dhe vaksinimi për fëmijët e moshës nën 18 vjeç, dhënia e bonusit prej 1,000 eurosh për mjekët dhe infermierët dhe vazhdimi i paketës së dedikuar për rimbursimin e barnave.

Në projektvendimin e Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë të “Programit të reformave ekonomike për periudhën 2022-2024”, i publikuar në konsultimet publike thuhet se deri në pranverën e 2022, qeveria parashikon të sigurojë rreth 5 mln doza të vaksinave në mbrojtje të Covid-19 nëpërmjet mekanizmit Covax.

“Në një kohë rekord është arritur të garantohen rreth 3 milionë doza vaksinash dhe deri në fund të pranverës, përmes mekanizmit COVAX dhe kontraktimit të drejtpërdrejtë me prodhuesit dhe shpërndarësit e autorizuar do të garantohen 5 milionë doza për të nisur edhe aplikimin e dozës së tretë dhe doza dhe për fëmijët nën 18 vjeç sipas rekomandimeve të OBSH dhe ICD”, citohet në projektvendim.

Në Shqipëri, fushata e vaksinimit nisi në shkurt 2021, ndërsa prej disa muajsh ka nisur dhënia e dozës përforcuese. Doza e tretë është marrë nga 162,000 persona sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë. Shqipëria vijon të ketë numrin më të ulët të të vaksinuarve me dy doza.

Nga fillimi i fushatës të vaksinimeve në shkurt të 2021 deri tani, sipas të dhënave të Our World in Data në Shqipëri rezulton 37% e popullatës të ketë marrë të dyja dozat e vaksinës. Në Maqedoninë e Veriut, të vaksinuarit zënë 39%, në Kosovë dhe Malin e Zi 40%, në Serbi 47% të popullatës, Kroaci 53% dhe Greqi 65%. Për shtetet e BE-së mesatarja e të vaksinuarve me dy doza zë 63% të popullatës.

Bonusi i mjekëve

Deri në përfundimin e pandemisë nga Covid-19 mjekët dhe stafi i tyre ndihmës do të vazhdojnë të përfitojnë bonusin nga 500 deri 1,000 euro. Prej vitit 2020 kur nisi pandemia e Covid-19, për stafin mjekësor që ishin në vijën e parë për kurimin e pacientëve të infektuar, Ministria e Shëndetësisë nisi mbështetje e veçantë financiar ofruar nëpërmjet mekanizmit të bonusit prej 1,000 euro mbi pagën për të gjithë personelin mjekësor dhe 500 euro mbi pagën për personelin ndihmës.

Parashikohet që shpërndarja e bonusit për mjekët dhe stafin ndihmës mjekësor do të vazhdojë të ofrohet deri në përfundimin e pandemisë së COVID-19. Nga marsi i 2020 e deri më tani janë rreth 4,000 personel mjekësor kanë përfituar 1,000 euro bonus dhe mbi 1200 staf ndihmës kanë përfituar 500 euro bonus mbi pagën.

Gjithashtu në projektvendimin e programit ekonomi thuhet se brenda vitit 2022 do të jetë përfunduar modernizimi i infrastrukturës së Spitalit të Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë që do të garantojë dyfishimin e kapacitetit të pacientëve.

Në zbatimin e masave në kuadër të pandemisë është përfshirë edhe vazhdimi i trajtimit nëpërmjet paketës së dedikuar të listës së rimbursimit të barnave për të gjithë pacientët që janë të infektuar nga Covid-19, si dhe një paketë të plotë trajtimi sipas praktikave dhe protokolleve më të mira ndërkombëtare për të gjithë pacientët tanë që do të kenë nevojë për trajtim spitalor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat