Dosja e abuzimeve në Ersekë, prokuroria e Korçës përcjell në SPAK çështjen penale

Shqipëria

Dosja e abuzimeve në Ersekë, prokuroria e Korçës përcjell në SPAK çështjen penale

Më: 8 prill 2022 Në ora: 16:17
Foto ilustrim

Dosja penale ndaj zyrtarëve të IKMT në Korçë, ku nga përgjimet ka dalë edhe kryetari i bashkisë së Ersekës Erion Isai, i është përcjellë SPAK-ut. Ka qenë prokuroria lokale që pas arrestimeve të para, ka vlerësuar se hetimet duhet të vijojnë nga prokuroria e posaçme. Këshilltari i Erion Isait është përgjuar teksa flet me kryebashkiakun për të takuar biznesmenin që do të kryente rindërtimin e banesave të prekura nga tërmeti.

Prokuroria e Korçës ka përcjellë në SPAK dosjen ku i përfshirë rezulton edhe kryebashkiaku i Ersekës, Erion Isai. Objekt i çështjes është vijimi i hetimeve për një sërë abuzimesh korruptive në rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, punësimet e paligjshme dhe shitja e lëndës drusore në Ersekë.

Kjo çështje, deri në këtë fazë ka çuar arrestimin e disa personave të akuzuar për “Prerje të paligjshme të pyjeve” dhe pezullimin e disa zyrtarëve të IKMT-së në Tiranë e Korçë. Ndërsa ajo që fshihet, janë zyrtarë të Bashkisë Korçë, duke filluar nga kryetari Erjon Isai, zv/kryetarja Brikena Ali, këshilltari bashkiak Lirjan Hyseni, përgjegjësi Pyjor në bashkinë Ersekë, Amarildo Jaho, dhe disa zyrtarë të tjerë që janë përfshirë në punësime jashtë kritereve.

Nga përgjimet e kryera ka rezultuar se personazhi më aktiv në këtë dosje është Lirjan Hyseni, i punësuar në IKMT Korçë, dhe njëherësh këshilltari në Bashkinë e Kolonjës. Përgjimi i datës 30 shtator 2021, tregon një bisedë të zhvilluar mes këshilltarit bashkiak Lirjan Hyseni dhe bosit të kompanisë “Xhengo SH.P.K”, Shyqyri Xhengo.

Ata bisedojnë për të hyrë në procesin e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti në fshatin Qafzez.

Këshilltari bashkiak i Ersekës, Lirjan Hyseni, e këshillon dhe orienton Shqyri Xhengon, të shkojë dhe takojë Kryetarin e Bashkisë Kolonjë, Erjon Isai, për rikontruksionin e disa shtëpive në fshatin Qafzes, i prekur nga tërmeti i vitit 2019. Sipas bisedës, Hyseni e ve në dijeni Shyqyri Xhengon, se bashkia e Ersekës kishte një fond financiar për rindërtimin e shtëpive dhe punimet ti bënte kompania e ndërtimit “Xhengo”.

Teksa mbyll telefonatën me biznesmenin Shyqyri Xhengo, këshilltari bashkiak, Lirjan Hyseni në 30 shtator 2021 telefonon kryetarin e bashkisë Ersekë, Erion Isain, ku ndër të tjera i thotë se duhet vetëm ta priste në zyrë biznesmenin.

Në bisedë e sipër, Livjani i shpjegon dhe informon Kryetarin e Bashkisë edhe për disa punonjës të mjedisit, të cilët kishin mbëritur për të bërë inspektim tek Ujësjellësi i Leskovikut.

Në dosjen hetimore që zotëron “Ora News”, Lirjan Hyseni, është personi më aktiv dhe mban kontakte në mënyrë të vazhdueshme me kryetarin e Bashkisë Ersekë, Erion Isai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat