Socialistët rrëzuan kërkesën e Metës për rishikimin e marrëveshjes së Butrintit

Shqipëria

Socialistët rrëzuan kërkesën e Metës për rishikimin e marrëveshjes së Butrintit

Më: 12 korrik 2022 Në ora: 19:20
Foto ilustrim

Në Tiranë, presidenti Ilir Meta u bëri thirrje deputetëve të mbrojnë Parkun Kombëtar të Butrintit nga planet për një menaxhim të ri, të cilat, sipas tij, po miratohen duke shkelur Kushtetutën e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare.

Reagimi erdhi nga presidenti, pasi shumica socialiste rrëzoi në komisionin parlamentar të ekonomisë dekretin e tij për të rishqyrtuar marrëveshjen mbi administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Marrëveshja mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Parkut të Butrintit u miratua nga shumica socialiste Kuvend, dhe sot ata rrëzuan në komisionin parlamentar të ligjeve dekretin që kërkonte rishikimin e saj.

Presidenti Meta ftoi deputetët që të mbrojnë këtë vlerë të trashëgimisë historike kulturore kombëtare, e cila po ndërron menaxhim me një marrëveshje, e cila sipas tij, cenon Kushtetutën dhe Konventat ndërkombëtare.

Ai theksoi se edhe sot “në komisionin e ekonomisë shumica socialiste u soll në mënyrë arrogante, duke mos dëgjuar ekspertët e fushës, dhe duke rrezikuar me militantizmin e tyre politik një pasuri kaq të rralla si Butrinti, vetëm për arsye të errëta e korruptive e pse jo edhe shkombëtarizuese”.

Zoti Meta tha se marrëveshja për Butrintin cenon drejtpërdrejt interesin publik shqiptar, bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, nuk është transparente dhe nuk është konsultuar me ekspertizën e pavarur vendase dhe me publikun. Marrëveshja, sipas tij, shmang kontrollin financiar prej institucioneve të pavarura.

Por socialistët pohojnë se kjo marrëveshje do të sjellë një mirëmenaxhim të integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit, sepse, sipas tyre, sistemi aktual i menaxhimit nuk garanton ruajtjen e vlerave kulturore atje.

Ata theksojnë se Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit do të mbrojë pasuritë kulturore, lehtësi në mbledhjen e fondeve si dhe zhvilim të qëndrueshëm për të gjithë Parkun Konbëtar të Butrintit.

“Ne si komision kemi dëgjuar të gjithë mendimet e ekspertëve dhe grupimeve të interesit. Kemi skeduar të gjitha mendimet dhe propozimet që janë në publik dhe në media. Kemi përgatitur një pamje të plotë të gjithë mendimeve që ekzistojnë për këtë temë, që u politizua më shumë se sa duhej” - tha kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë dhe financave.

Ministria e Kulturës dhe AADF themeluan Fondacionin për Menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje. Marrëveshja parashikon mbrojtjen, konservimin dhe ruajtjen e parkut, si dhe investimin edhe 5 milionë dollar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit.

Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit, një grupim ekspertësh dhe veprimtarësh janë dyshues se atje mund të ketë abuzime, përderisa qeveria nuk u ka marrë mendime profesionale për menaxhimin e Parkut të Butrintit, dhe sipas tyre, nuk ka zhvilluar dëgjesa publike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat