Gazetari Thimi Saramarxhi nga Euronews Albania ka ndjekur nga afër ceremoninë mortore të mbajtur këtë të shtunë në nder të Papa Françeskut në Vatikan. Mijëra besimtarë, njerëz të thjeshtë e lider botërorë, ishin pjesë e saj.
Thimi Saramarxhiu ka zhvilluar një intervistë me Imzot Arjan Dodaj pas përfundimit të funeralit të Papa Françeskut, teksa Imzot Dodaj ka folur për rëndësinë që kishte Papa Françesku në jetën e çdo njeriu, veçanërisht boshllëkun që lë mungesa e tij për Kishën Katolike.
“E vumë re në manifestimin e mijëra besimtarëve por edhe njerëzve të thjeshtë që nuk i përkasin kishës katolike, dhe në të gjithë përfaqësimin e realitetit të kombeve të ndryshme që ishin mbi 170 përfaqësues të ndryshëm të kombeve. Ky ishte Papa Françesku, ishte i të gjithëve. Ka ditur të prekë zemrën e çdo lloj njeriu. Ishte një baba, një manifestim i mëshirës hyjnore, i përkëdheljes së Zotit”, tha ai.
Imzot Arjan Dodaj shprehet për lidhjen e veçantë që kishte ai personalisht, por edhe Kisha Katolike me Atin e Shenjtë.
“Papa Françesku shkon përtej fjalës. Mendoj se çdokush që ka takuar Papa Françeskun mban të gjallë praninë e tij, kujdesin dhe dashurinë e tij. Kemi vënë re edhe në Shqipëri se çdo shqiptar e ndjente borxhin ndaj një Pape që ka ditur të përkulet me praninë e tij tek zemrat më të vuajtura. Papa është Papa i afrimitetit të Zotit.
Në realitetin e Kishës Katolike, boshllëku që krijon ikja e një Pape, është më shumë një boshllëk fizik por Shpirti i Shenjtë na ka mësuar se din ti përgjigjet kërkesave të kohës me figurat e duhura që të çojnë zërin e të drejtës, të paqes siç ka bërë Papa Françesku në këto 12 vjet”, shton ai.
I pyetur se pse Papa Françesku e donte Shqipërinë, Imzot Arjan Dodaj thekson se Papa e njohu shumë vonë Shqipërinë dhe për këtë ndjente keqardhje, duke bërë kështu që në kohën e mbetur si Papë, ti hapi dyert vendit tonë.
“E donte Shqipërinë sepse në një farë mënyre është sikur e ndjente që e ka njohur vonë dhe këtë kohën që e pati si Papë e shfrytëzoi duke na pritur dhe duke ardhur personalisht tek ne. Ai e ka thënë vetë se ndihej i keqardhur që e ka njohur kaq vonë historinë e persekutimit dhe vuajtjet e popullit tonë, por një herë që e ka njohur i ka hapur dyert dhe është bërë i afërt me neve”.
Në përfundim, Imzot Arjan Dodaj ka dhënë një mesazh për të gjithë shqiptarët që në një kohë trazirash dhe problemesh, të mos përçahemi, por të afrojmë zemrat, siç ka bërë dhe Papa Françesku.
“Mesazhi që dua të jap është se Papa edhe duke ardhur në Shqipëri në një realitet heterogjen të botës së sotme konfliktuale, ka ditur të thotë: Hidhni poshtë muret, ndërtoni urat, jini kultura e takimit, jo e përçarjes. Unë këtë ia ofroj shoqërisë shqiptare sepse edhe ne jemi të prekur nga pasojat e ideologjive të ndryshme dhe kapemi pas ideologjive dhe jo nga e mira e njeriut. Duhet të kapemi për dore me njëri tjetrin jo vetëm në foto, por edhe zemër me zemër, siç ka bërë me zemrën e tij Papa Francesku. Të lejojmë të kapemi nga dashuria e Zotit siç ai na ka kapur neve”, tha Imzot Arjan Dodaj nga Vatikani.