Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e kësaj të mërkure, më 17 dhjetor, në Mamurras, ku një person mbeti i plagosur me armë zjarri.
Sipas burimeve të Klan News, i plagosuri 50-vjeçar me inicialet P.M sapo ishte kthyer nga Anglia, dhe ka patur një konflikt të çastit me autorin e ngjarjes, i cili tashmë është identifikuar nga policia.
Gazetari Martin Marku raporton se incidenti ka ndodhur rreth orës 16:25 në lagjen Zef Hoti, ku 50-vjeçari me inicialet P.M ka marrë një plumb nga një armë zjarri në dorë. Aktualisht po kryhen kontrolle për kapjen e autorit të plagosjes.
Si ndodhi sherri?
Sipas të dhënave të deritanishme, P,M i kishte kërkuar autorit që të lëvizte me kujdes dhe mos të xhironte gomat e makinës së tij, pasi kjo gjë e kishte bezdisur.
Mirëpo, i riu është përgjigjur me armë. Ai ka qëlluar dy herë me pistoletë në drejtim të 50-vjeçarit, ku njëri nga plumbat i kapi krahun. I plagosuri u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku për fat të mirë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.