Ish-deputeti dhe ish-zëvendës drejtor i burgjeve, Lefter Maliqi, ka komentuar ditën e sotme, arratisjen e Altin Ndocit, nga Spitali Rajonal i Durrësit.
Maliqi thotë se është shkelur protokolli nga radhët e policisë, ndërsa ngre dyshime se arratisja ishte një plan i mirëoganizuar nga Ndoci.
Sipas Maliqit, ka pasur një bashkëpunim mes organizatës kriminale dhe strukturatve të brendshme të sigurisë, ndërsa ka bërë thirrje që SPAK të hetojë.
Tani, unë ju flas edhe si ish-zëvendës drejtor i burgjeve, por dhe si ish-drejtues policie në veri dhe në jug të Shqipërisë, edhe si ish-anëtar i komisionit të Sigurisë Kombëtare prej shtatë vitesh.
Kjo nuk ishte një arratisje spektakolare. Kjo ishte një arratisje e ftohtë, e qetë, e mirëorganizuar, në një zinxhir krimi të organizuar, që po të hetohet dalin, për mua dalin banditë, brenda burgut, jashtë burgut, drejtues të burgjeve, deri tek IEVP-ja e Durrësit.
Në rastin konkret, unë s’mund ta akuzoj që t’i them që është vrasës me pagesë derisa gjykata t’i japë vendimin final, por di që një operacion i Plumbit të Artë, që është bërë para disa vitesh, e kanë arrestuar për shkak të të penduarit të drejtësisë, Dumanit të vogël, se Dumani i madh ishte kreu i SPAK-ut.
Tani, meqënëse thashë, kam qenë zëvendës drejtor i Përgjithshëm i burgjeve, ka një protokoll që është shkelur nga koka te këmbët.
Çdo i paraburgosur dhe i burgosur në të gjithë IEVP-të e Republikës së Shqipërisë, pra në të gjithë paraburgimet dhe burgjet e Shqipërisë, kur kanë shqetësime shëndetësore, atëherë infermieri dhe mjeku, sepse çdo burg, IEVP ka të atashuar mjek dhe infermier, konstaton sëmundjen dhe në qoftë se është për te spitali i burgut, dërgohet tek spitali i burgut”.
SPAK-u duhet që t’i merrte të gjithë celularët, që nga Drejtori i Përgjithshëm, të gjitha hallkat zinxhir e burgjeve, shëndetësisë, policisë e të gjitha me radhë, për të zbuluar të vërtetën – është shprehur Maliqi në Syri TV.