Kontroll “blic” në burgun e Peqinit, të dënuarit i gjendet një telefon në karikim

Shqipëria

Kontroll “blic” në burgun e Peqinit, të dënuarit i gjendet një telefon në karikim

Më: 18 maj 2026 Në ora: 15:53
Foto ilustrim

Një tjetër operacion kontrolli është zhvilluar në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin, në kuadër të masave të shtuara për goditjen e sendeve të ndaluara brenda burgjeve.

Kontrolli “blic” është ushtruar nga strukturat e Policisë së vetë institucionit, pas sigurimit të të dhënave operative që ngrinin dyshime për posedim të sendeve të paligjshme në ambientet e godinës B, sektori nr. 2, dhoma 11, në katin e parë të burgut.

Gjatë verifikimeve, autoritetet konstatuan se i dënuari Indrit Shaqja mbante në mënyrë të kundërligjshme një telefon celular në gjendje pune. Pajisja rezultoi e ndezur dhe në proces karikimi në momentin e kontrollit.

Po ashtu, gjatë kontrollit fizik të ambienteve u gjet dhe një pajisje USB, e cila u sekuestrua së bashku me celularin si provë materiale.

Menjëherë pas konstatimit të rastit, administrata e institucionit njoftoi strukturat e SHKBB-së, të cilat kanë nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për të verifikuar mënyrën se si sendet e ndaluara kanë hyrë brenda institucionit penitenciar.

Burime pranë sistemit penitenciar bëjnë me dije se kontrollet e befasishme janë intensifikuar gjatë javëve të fundit, si pjesë e një plani masash për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme brenda burgjeve.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ritheksuar se do të vijojë luftën pa kompromis ndaj futjes dhe posedimit të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit, duke paralajmëruar kontrolle të vazhdueshme dhe masa të forta administrative e ligjore ndaj çdo shkeljeje të konstatuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat