“Turp për 4 mln eurot!”/ Përfundon dita e 43-të e protestës, qytetarët përballë Ramës – hapi i radhës në SPAK

Shqipëria

“Turp për 4 mln eurot!”/ Përfundon dita e 43-të e protestës, qytetarët përballë Ramës – hapi i radhës në SPAK

Më: 12 korrik 2026 Në ora: 09:01 Përditësuar në ora: 22:51 më 12.07.2026
Protesta

Mbyllet dita e 43-të e revoltës, qytetarët të irrituar me Ramën

U mbyll edhe këtë të diel protesta qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës. Mijëra qytetarë u mblodhën te Kryeministria dhe më pas marshuan rrugëve të Tiranës, ku bën thirrjet e tyre për revolucion dhe largim të kryeministrit.

Si zakonisht qytetarët u grumbulluan te Sheshi “Skënderbej”, ku disa prej tyre folën edhe për mikrofonin e News24, ndërsa të tjerë kishin edhe pankarta ironizuese ndaj qeverisë dhe Ramës.

Para Kryeministrisë, qytetarë të shumtë shprehën shqetësimet dhe hallet e tyre ndaj qeverisë dhe politikës, duke theksuar dhe irritimin ndaj fondit 4 mln euro për mosdështimin e koncertit të Kanye West.

Aktivistët deklaruan se nesër, pra të hënën, do të dorëzohet në SPAK, kallëzimin penal për shpërdorim detyre ndaj drejtorit të Policisë, Skënder Hita. Kjo pas deklaratave të tij të fundit për hetime ndaj personave që kanë bërë review negative online ndaj bizneseve të lidhura me qeverinë Rama.

Orët e mbrëmjes vijoi marshimi i zakonshëm, teksa sot mijëra vetën kaluan me thirrje dhe kore nga zona e ish-bllokut.

“Eja përballu me ne këtu”/ Mesazhi nga protesta për Ramën: Këtij populli i ka shkuar thika në eshtra

Një qytetare ka marrë fjalën përpara Kryeministrisë, duke shprehur revoltën e popullit të thjeshtë dhe duke i bërë një thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama që të dalë dhe të përballet me protestuesit në shesh.

Në fjalën e saj, ajo theksoi se qytetarët kërkojnë zhvillim dhe bashkëpunim, por pa u cenuar dinjiteti i tyre.

“Këtij populli i ka shkuar thika në eshtra. I bëj thirrje Ramës: ne nuk jemi budallenj. E duam të bukurën, e duam të mirën, e duam bashkëpunimin me botën, por jo duke na shkelur ne! Popullin e thjeshtë!” u shpreh ajo.

Në mbyllje të mesazhit të saj, protestuesja kërkoi që kreu i qeverisë të dëgjojë zërin e qytetarëve që ndodhen përpara seliës së tij.

“Ndaj zoti Rama eja përballu me ne këtu!” përfundoi ajo.

“Çohuni nga kafja”- Marshimi kalon nga ish-blloku: Bashkouni me ne! Poshtë patronazhistët

Pas fjalimeve para Kryeministrisë për gati 2 orë, protestuesit marshuan rrugëve kryesore në Tiranë.

Ata kaluan edhe nga zona e ish-bllokut, ku i bën thirrje qytetarëve të çohen nga kafja dhe të bashkohen me protestën.

Sakaq, ata lëshuan dhe thirrje kundër Partisë Socialiste dhe patronazhistëve.

Marshimi i protestuesve ditën e 43-të të revoltës: Ju erdhi fundi!

Mijëra vetë u mblodhën edhe sot në ditën e 43-të të protestave kundër qeverisë Rama. 

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët vijuan marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Ata bën thirrje për revolucion dhe për fundin e politikës së vjetër.

“Kam punuar te RENEA dhe dhashë dorëheqjen”- Pedagogu: Ika prej dekonspirimit, mediokritetit dhe drejtuesve analfabetë

Një pedagog që dikur kishte qenë pjesë e forcave RENEA, foli në protestën e 43-të qytetare kundër Ramës.

Ai deklaroi se dha dorëheqjen nga RENEA-t, pasi aty kishte dekonspirim, mediokritet dhe drejtues analfabetë.

Pedagogu: Kam punuar te RENEA dhe ku vjen puna kam ikur me dorëheqje për shkak të dekonspirimit mediokritetit dhe drejtuesve analfabetë. Jam një person që jap kontributin si pedagog. Që bëj punë të tjera për të pasur dhe jetë dinjitoze.

Në një vend ku kushtet dhe premisat janë zero. Protesuthet për listat e kriminalizuar të plot zyrtarëve që nuk e meritonin të ishin kryetarë bashkie e deputetë. Protestohet për kanabizimin e vendit, protestuesit për talljen me vendin.

Tubuesit mblidhen përpara Kryeministrisë: Na quajnë sorra e korba, por harrojnë që jemi bijtë e shqiponjave

Në Tiranë po mbahet dita e 43-të e tubimit.

Ashtu si ditët e tjera, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” e më pas kanë vijuar me marshimin e tyre drejt Kryeministrisë.

Aty, disa prej tyre janë ngjitur duke mbajtur fjalime, teksa kujtojnë dhe deklaratat e Kryeministrit Rama.

Njëri prej tyre tha: “Kryeministri na quan sorra e korba, por harron që ne jemi bijtë e shqiponjave. Korbat dhe sorrat ai i ka në qeverinë e vet”.

Hetimi policor për review-t, aktivisti Andi Tepelena: Nesër kallëzim penal në SPAK për shpërdorim detyre ndaj Drejtorit të Policisë

Aktivisti Andi Tepelena deklaroi protestën e sotme të 43-të, se nesër të hënën, do depozitohet në SPAK kallëzimi për drejtorin e Policisë, Skënder Hitës.

Kjo pas konferencës së këtij të fundit ku tha se po hetohen review online ndaj bizneseve të lidhura me qeverinë.

Andi Tepelena: Nesër para SPAK do i përgjigjem me kallëzim penal drejtorin e policisë, për shpërdorim detyre.

Ftoj çdo qytetar që mendon se duhet mbrojtur liria e shprehjes të vijë dhe të firmosë. Nuk kemi frikë atë dhe Lucën apo kapter Ramiun.

Turisti nga Suedia i bashkohet protestës: Jam i lodhur nga korrupsioni!

jesë e protestës së 43-të ishte dhe një turist nga Suedia.

Ai deklaroi se protestuesit janë shumica dhe iu kërkoi të marrin mbrapsht vendin me revolucion.

Turisti suedez: Vij nga Suedia. Udhëtoj në Europën Lindore, admiroj mikpritjen e shqiptarëve, por jam i lodhur nga korrupsioni, jam i lodhur nga marrja e parave dhe marrja e vendit prej jush.

Jeni shumica, duhet të merrni mbrapsht vendin. Viva revolucion!

Profesor Lush Susaj: Kjo është protesta e popullit, nuk futet në xhep!

Pedagogu Lush Susaj mbajti një fjalim gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku kritikoi qeverinë për situatën në arsim, emigracionin dhe gjendjen ekonomike e sociale në vend.

Në fjalën e tij, Susaj tha se protesta përfaqëson qytetarët dhe nuk mund të ndalet nga propaganda apo presioni politik.

“Kjo është protesta e popullit dhe nuk futet në xhep. Janë 7 milionë shqiptarë në protestë dhe nuk e duan këtë qeveri. Puna e ndyrë që po bëjnë me intimidim dhe propagandën e fëlliqur të qeverisë më të korruptuar të Europës do të marrë fund. Mos dëgjoni propagandën! Na kanë vjedhur fondet dhe jemi copë-copë me infrastrukturë, edhe pse Europa ka dhënë miliarda”, u shpreh ai.

Pedagogu u ndal edhe te gjendja e arsimit, duke deklaruar se numri i studentëve dhe nxënësve ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

“Na kanë goditur në zemër dhe në palcë kurrizore, na kanë goditur në shkollat shqiptare. Sot kemi vetëm 115 mijë studentë. Numri i tyre ka rënë me 35%. Ka rënë edhe numri i nxënësve në shkolla, ndërsa maturantët janë përgjysmuar krahasuar me 13 vite më parë. Kjo ka ndodhur sepse kjo qeverisje masakroi familjen shqiptare në prona, në të drejtat gjyqësore, në shërbimin shëndetësor, në standardet mjedisore dhe në siguri”, deklaroi Susaj.

Këngëtari i bashkohet revoltës qytetare: Shqiptarët u zgjuan nga gjumi, koha që kjo politikë e vjetër të ndryshojë rrënjësisht!

Ditën e sotme, rreshtave të protestuesve në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë u është bashkuar edhe këngëtari Franc Koroni. Në një prononcim të drejtpërdrejtë për mikrofonin e News24, artisti ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për kauzën e qytetarëve, duke theksuar se Shqipëria ka hyrë në një fazë pa kthim ku kërkohet një përmbysje e modelit të vjetër politik.

Sipas Koronit, qëndresa disajavore në shesh është dëshmia më e pastër e zgjimit të ndërgjegjes qytetare përballë padrejtësive dhe mungesës së meritokracisë në vend.

“Të gjithë jemi në një mendje që Shqipëria ndodhet në një fazë ku duhet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si mendon e gjykon. Ka probleme, ka padrejtësi, nuk ka meritokraci dhe ka ardhur koha që kjo të ndryshojë. Shqiptarët po dëshmojnë se duan një Shqipëri të re, ku skemat e politikës së vjetër nuk funksionojnë më. Ka ardhur koha për një ndryshim total të ndërgjegjes qytetare dhe kjo është dëshmuar përmes kësaj proteste, ku qytetarët vijnë përditë,” deklaroi këngëtari.

Më tej, ai vlerësoi forcën dhe vendosmërinë e popullit për të mos u dorëzuar përballë pushtetit, duke pranuar se ndonëse rruga drejt ndryshimit të madh është e gjatë, kthim pas nuk ka më.

“Shqiptarët janë zgjuar nga gjumi dhe duan të jetojnë në një Shqipëri të re. Rrugëtimi është i gjatë, por kemi treguar se jemi të fortë dhe do të jemi të fortë,” përfundoi Koroni.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat