“Neve nuk na dalin 130 mijë lekë pension, Ramës, Berishës e Metës s’u mungon gjë”, i moshuari në protestë: Rinia çarmatosi kastën e vjetër, s’largohemi pa ikur Rama!
Në mesin e qytetarëve që kanë mbushur Sheshin “Skënderbej”, një tjetër pensionist ka dëshmuar qëndresën e tij të jashtëzakonshme, duke deklaruar se ka plot 43 ditë që merr pjesë rregullisht në protestë. Për mikrofonin e mediave, i moshuari ka shpërthyer në akuza të forta ndaj të gjithë kastës së vjetër politike në vend, duke përmendur me emra Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën për hendekun e madh ekonomik mes tyre dhe popullit.
Ai bëri thirrje për sekuestrimin e pasurive të politikanëve si e vetmja rrugë për t’i detyruar ata të lëshojnë karriget, ndërsa vlerësoi rolin e rinisë në këtë revoltë.
“Kam 43 ditë në protestë radhazi. Neve nuk na del 130 mijë lekë pension, ndërsa Edi Ramës, Sali Berishës e Ilir Metës nuk u mungon gjë. Duhet t’u marrim pasuritë që të japin dorëheqje! Rinia i ka çarmatosur të gjithë, të gjithë kastën e vjetër politike. Tani vetëm presim,” deklaroi i moshuari.
Në mbyllje të fjalës së tij, pensionisti shprehu vendosmërinë e plotë të të gjithë protestuesve për të mos u zmbrapsur nga sheshi, pavarësisht kohës që do të duhet deri në përmbushjen e qëllimit të tyre.
“Ne do rrimë këtu, një muaj, dy muaj, deri sa të ikë Edi Rama,” përfundoi ai me vendosmëri.
Dita e 41-të e protestës/ Qytetarët nisin marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, kërkojnë largimin e Ramës
Pas grumbullimit masiv në Sheshin “Skënderbej”, protestuesit janë nisur në marshim drejt godinës së Kryeministrisë. Bulevardi kryesor i Tiranës është pushtuar nga një lumë njerëzish, ndërsa thirrjet e tyre për ndryshim po ushtojnë në mbarë qytetin.
Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, në ballë të turmës dëgjohen qartë thirrjet unanime: “Shqipëria kërkon Revolucion” dhe “Edi Rama jep dorëheqjen”, duke çuar një mesazh të prerë dhe të panegociueshëm drejt kreut të qeverisë.
Kjo është dita e 43-të radhazi e qëndresës qytetare kundër qeverisë. Në këtë marshim masiv, mijëra shqiptarë po kërkojnë jo vetëm rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, por edhe shkuljen e të gjithë klasës së vjetër politike që ka bashkëqeverisur në kurriz të popullit për dekada me radhë.
Shqiptarët kërkojnë masivisht largimin e Ramës nga zyrat e OKB në New York: Qeveria të japë dorëheqjen menjëherë!
Rezistenca qytetare kundër qeverisë nuk ndalet. Ka nisur sot dita e 43-të e revoltës masive në kryeqytet, ku protestuesit kanë nisur grumbullimin sërish në Sheshin “Skënderbej”.
Me pankarta në duar, thirrje të fuqishme “Rama ik” dhe flamuj kombëtarë, qytetarët po shprehin vendosmërinë e tyre të palëkundur për të mos u larguar deri në dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij.
Në protestë shihet një pjesëmarrje e të rinjve, ndërsa kauza është zgjeruar tashmë nga mbrojtja e zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë natyrore, në një kërkesë emergjente për rrëzimin e modelit aktual qeverisës dhe krijimin e një qeverie kalimtare.
Protesta e 43-të, flet artisti: Shqiptarët po duan një Shqipëri të re, ku skemat e vjetra nuk funksionojnë më!
Edhe sot mijëra vetë u mblodhën të protestojnë kundër qeverisë së Edi Ramës.
Një artist këngëtar foli për News24, teksa tha se shqiptarët tashmë janë zgjuar dhe po dëshmojnë se duan një Shqipëri të re.
Këngëtari:Shqiptarët po dëshmojnë që duan një Shqipëri të re ku skemat e politikës së vjetër nuk funksionojnë më. Ka ardhur koha për një ndryshim total të ndërgjegjes në radhë të parë. Kjo dëshmohet përmes protestës. Sot dita e 43, dëshmi e gjallë. Shqiptarët janë zgjuar nga gjumi. Ka vështirësi, rrugëtim i gjatë por jemi të fortë.
Si çdo sektor dhe arti është në vështirësi, sepse arti dhe sporti janë ata që dëmtohen të parët kur ka probleme. Rriten të fundit kur shtetit ngrihet. Them që me ardhjen e protestës kam vënë re që shumë kolegë janë më entuziastë për atë që i pret në të ardhmen. Ndihet se do ketë meritokraci shumë shpejt. Nuk do pushtohem skenat nga pseudomuzikantë që dalin bëjnë karrierë prej lidhjeve politike. Meritokracia dhe ata që punojnë me zemër do kenë publikun e tyre. Sot është e vështirë të kesh publik të ndershëm, ndershmëria në art dhe politikë është shumë e rëndësishme.
“Rama prishi gjithë parqet dhe lulishtet dhe i bëri kulla”- E moshuara: Bonusin e pensionit na e ka marrë çdo ditë!
Vijoi edhe sot protesta mbarëqytetare kundër qeverisë së Edi Ramës.
Një e moshuar foli për News24 para nisjes së marshimit nga sheshi Skënderbej, teksa u shpreh se Rama ka shkatërruar të gjitha parqet dhe lulishtet për të bërë kulla, ndërsa kritikoi edhe 4 mln eurot për koncertin e Kanye West.
E moshuara: Arsyeja ka shumë. Më e fortë për padrejtësitë që na bëjnë. Rama kur foli me të rinjtë tha mbolli 5 mln pemë. Ato i preu të gjitha, i bëri pallate. Tha keni ujë të pijshëm. Jo e kemi me orar dhe kur nuk punon pompa nuk ka ujë. Lumenjtë po thahen se po i marrin oligarkët. Zjarret po djegin tokat. Shteti mban përgjegjësi dhe globalistët. Kemi dalë të protestojmë, Rama nuk ikën me fjalë. Rama ikën, ka krah të ngrohta. E mbron Sorosi, Amerika. Nëse Amerika i jep ok të largohet. Nuk kemi asnjë lloj aktivitet, shoqatë grupe sociale, nuk ka asnjë gjë. As guida. Na kanë lënë në mëshirë të fatit. Nuk ka më as lulishte. Gjitha lulishtet parqet i prishi dhe i bëri kulla. Po na merr oksigjenin. Do që të vdesim.
Bonusin e dha për të na bërë qejfin, që mos shkoni në protesta se po ju ndihmoj. Duhet ta na jepte që në mars. Ai gjithnjë na i ka marrë ato bonuset. Ai nuk i do shqiptarët. Ai i lëpihet të huajve, ky këngëtari që erdhi, 3000 punëtorë do e heqin sërish stadiumin. Ku shkojnë ato lek që paguhen? Ku i gjen ai? Për ata ka. Por për ne që vuajmë nuk ka.
Sot protesta e 43-të kundër qeverisë, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës: Ju erdhi fundi
Sot është dita e 43-të e protestave qytetare. Edhe këtë të diel grumbullimi i protestuesve do të nisë nga sheshi Skënderbej dhe më pas do të marshohet drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Protestat qytetare janë karakterizuar nga masiviteti, energjia dhe vendosmëria për ta mbajtur të gjallë kauzën pavarësisht se ka kaluar mbi 1 muaj që qytetarët mbushin rrugët çdo ditë.
Ndërkohë mijëra qytetarë u mblodhën edhe këtë të shtunë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, në ditën e 42-të të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Pas fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe klasës politike.
“Edhe Dua Lipa po thotë atë që shqiptarët përsërisin në rrugë”, Partia Demokratike Europiane godet sërish Ramën: Ligjet s’ndryshohen pas dyerve të mbyllura, koha të dëgjosh!
Partia Demokratike Europiane ka lëshuar një tjetër reagim të ashpër ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke sjellë në vëmendje qëndrimin e fundit të yllit me famë botërore, Dua Lipa, lidhur me ndryshimet e ligjeve mjedisore në Shqipëri.
Përmes një deklarate zyrtare, kjo forcë politike ka theksuar se zëri i artistes ndërkombëtare thjesht përforcon atë që qytetarët shqiptarë po e kërkojnë në sheshe prej më shumë se një muaji.
Sipas tyre, “ligjet mjedisore nuk mund të ndryshohen pas dyerve të mbyllura, pa konsultim publik”, duke dënuar kështu mungesën e transparencës nga ana e qeverisë.
Nga Partia Demokratike Europiane shprehen se ky reagim mbart një peshë të madhe publike. “Ky nuk është një koment i njerëzve të famshëm. Është zëri i një vendi që kërkon transparencë, llogaridhënie dhe respekt për trashëgiminë e tij natyrore”, thuhet specifikisht në deklaratën e tyre.
Në mbyllje të reagimit, kjo forcë politike i ka bërë një thirrje të prerë kreut të qeverisë që të ndalë menjëherë shpërfilljen e këtij zëri popullor. “Kryeministri Rama duhet të ndalojë së shpërfilluri atë zë. Shqipëria po flet. Është koha që ai të dëgjojë”, përfundon reagimi i Partisë Demokratike Europiane.
Shqiptarët kërkojnë masivisht largimin e Ramës nga zyrat e OKB në New York
Shqiptarë të shumtë nga shtetet Michigan, Pennsylvania, Massachusetts (Boston), Connecticut, New Jersey, New York Virginia Washington D.C dhe shumë shtete të tjera u mblodhën sot përpara Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, në mbështetje të ditës së 43-të të protestave paqësore në Shqipëri.
Diaspora shqiptaro-amerikane qëndron në solidaritet me qytetarët e Shqipërisë, të cilët vazhdojnë të kërkojnë:
-Shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligji nr. 21/2024).
-Shfuqizimin e kuadrit ligjor për Investimet Strategjike, si dhe të legjislacionit tjetër që prek zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
-Vendosjen në Kushtetutë të kufizimit në dy mandate për postin e Kryeministrit.
-Reformë zgjedhore, më shumë transparencë në financimin e partive politike dhe një Kushtetutë të re të miratuar me referendum.
-Dorëheqjen e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie kalimtare jopartiake për të mbikëqyrur reformat demokratike.
Ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja e madhe e të rinjve dhe të rejave, të cilët kërkonin me vendosmëri dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Me pankarta në duar dhe thirrjen “Rama ik”, ata iu bashkuan protestës, duke shprehur mbështetjen e tyre për kërkesat e qytetarëve në Shqipëri.