​LIVE: Nis grumbullimi i protestuesve përpara Ministrisë së Arsimit

Shqipëria

​LIVE: Nis grumbullimi i protestuesve përpara Ministrisë së Arsimit

Më: 26 tetor 2026 Në ora: 16:14 Përditësuar në ora: 17:25 më 26.10.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Pas rezistencës te Ministria e Arsimit, të rinjtë dhe qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë

Protestuesit kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, në ditën e 14-të radhazi të protestave studentore kundër qeverisë së Edi Ramës.

Pas grumbullimit përpara Ministrisë së Arsimit, studentët dhe qytetarët e pranishëm janë zhvendosur drejt godinës së Kryeministrisë, duke vijuar mobilizimin e tyre.

Të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga protesta pavarësisht masave të reja ligjore të paralajmëruara nga kreu i qeverisë.

Marshimi vjen pas dy javësh protestash, të cilat në disa raste janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Studentët kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, ndërsa protesta e sotme është zhvendosur nga Ministria e Arsimit drejt selisë së qeverisë.

Studentët sfidojnë masat e paralajmëruara nga kryeministri: Pamë fitoren në Serbi, jemi të fokusuar te largimi i tij!

Studentët që protestojnë prej 14 ditësh kundër qeverisë së Edi Ramës kanë reaguar ndaj masave të reja ligjore të paralajmëruara nga kryeministri, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

Duke folur për mikrofonin e News24 nga protesta përpara Ministrisë së Arsimit, të rinjtë u shprehën se nuk do t’i nënshtrohen presionit dhe se synimi i tyre kryesor mbetet largimi i Ramës nga pushteti.

“Nuk mund t’i nënshtrohemi presionit të palogjikshëm të një personi të palogjikshëm”, deklaroi një prej studentëve, duke kundërshtuar masat e paralajmëruara nga qeveria.

Një tjetër protestuese tregoi se kishte pasur përballje verbale me deputetë që kishte takuar në rrugë, duke theksuar se u kishte shprehur hapur kritikat e saj.

“U kam thënë vetëm të vërtetat deputetëve që kam parë në rrugë. Atyre u ka djegur”, u shpreh e reja.

Ajo komentoi gjithashtu zhvillimet politike në Serbi, ku lëvizja studentore arriti të fitonte zgjedhjet parlamentare, duke e lidhur këtë rezultat me shpresat për ndryshim edhe në Shqipëri.

“I kemi parë ngjarjet në Serbi dhe fitoren e studentëve atje. Ne jemi të fokusuar në largimin e Ramës. Më pas do të shohim”, deklaroi protestuesja.

Reagimet e të rinjve vijnë ndërsa kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një paketë të re masash ligjore kundër asaj që ai e ka cilësuar si dhunë dhe anarki urbane.

Ndërkohë, studentët vijojnë të mblidhen përpara Ministrisë së Arsimit, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe duke paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Kreu i Sindikatës së Universiteteve: Pedagogët çdo ditë në krah të studentëve

Kreu i Sindikatës së Universiteteve, Aleksandër Kovaçi, ka konfirmuar mbështetjen e pedagogëve për protestat studentore, të cilat kanë hyrë sot në ditën e 14-të radhazi.

Duke folur për mikrofonin e News24 nga protesta përpara Ministrisë së Arsimit, Kovaçi deklaroi se bojkoti i mësimit është vullnetar, ndërsa theksoi se pjesëmarrja e studentëve në auditore është e pamjaftueshme për zhvillimin normal të procesit mësimor.

“Bojkoti është vullnetar dhe nuk besoj se ka studentë mjaftueshëm nëpër salla për të zhvilluar mësim”, u shpreh ai.

Kovaçi theksoi se studentët kanë hyrë në një fazë të re organizimi, duke ngritur forume për të koordinuar më tej lëvizjen e tyre.

“Studentët tani janë në një fazë tjetër për t’u organizuar në forume. Ne jemi në mbështetjen e tyre për të ndihmuar se si mund të kalohet kjo situatë”, deklaroi kreu i Sindikatës së Universiteteve.

Ai sqaroi se pedagogët kishin vendosur të mos zhvillonin takimin e tyre të planifikuar në orën 10:00, për të mos zhvendosur vëmendjen nga protesta studentore.

“Ne nuk e kemi bërë takimin tonë në orën 10:00 që të mos shpërqendrohet vëmendja nga studentët”, tha Kovaçi.

Në përfundim, ai konfirmoi se pedagogët do të vijojnë të jenë të pranishëm çdo ditë në protestë, duke ndjekur organizimin dhe thirrjet e studentëve.

“Do të jemi çdo ditë këtu në orën 14:00, sipas asaj që kanë thirrur studentët. Ne jemi aty ku do të jenë studentët”, përfundoi Kovaçi.

​Dita e 14-të e tubimit, nis grumbullimi i protestuesve përpara Ministrisë së Arsimit

Protestat studentore në Shqipëri kanë hyrë sot në ditën e 14-të radhazi, ndërsa një numër i madh të rinjsh dhe qytetarësh janë mbledhur sërish përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Studentët vijojnë mobilizimin e tyre kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar largimin e tij nga detyra dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes së vendit.

Tubimi i sotëm vjen pas gati dy javësh protestash të pandërprera, të cilat janë shoqëruar me tensione, përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, si dhe me raste të personave të plagosur dhe të shoqëruar.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, studentët kanë vijuar të mblidhen në shesh, duke e mbajtur të pandryshuar kërkesën e tyre kryesore për dorëheqjen e kryeministrit.

Ministria e Arsimit mbetet një nga pikat kryesore të grumbullimit të protestuesve që prej nisjes së lëvizjes studentore, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat