Lufta në Ukrainë përmes rrjeteve sociale dhe ndikimi tek fëmijët

Teknologji

Lufta në Ukrainë përmes rrjeteve sociale dhe ndikimi tek fëmijët

Më: 23 mars 2022 Në ora: 21:49
Foto ilustrim

Në mbarë botën, fëmijët po ndjekin atë që po ndodh në Ukrainë përmes rrjeteve sociale. Shpesh fotografitë, apo videot që shpërndahen në këto platforma, kanë përmbajtje shqetësuese dhe në shumë raste janë jo të vërteta. Zëri i Amerikës bisedoi me disa fëmijë për të zbuluar se si ata e përjetojnë luftën në Ukrainë.

Nathan Sarpal përdor rrjetin social “YouTube” për të parë atë që po ndodh në Ukrainë, pas nisjes së agresionit rus.

“Mund të shikosh ndërtesa të bombarduara, njerëz që fshihen në stacione metroje e ndërsa bombardime bëhën mbi kokat e tyre. Është shumë traumatizuese të shikosh këto pamje”, thotë Nathan Sarpal, 12-vjeçar. Ai tregon për Zërin e Amerikës se e ka të vështirë të kuptojë atë që po ndodh në Ukrainë. Isabella Vega Dounce, e cila jeton në Meksikë, zakonisht i shikon lajmet për luftën në Ukrainë nga rrjeti social “Instagram.”

“Në Instagram shfaqen video të njerëzve, që bërtasin, ose përpiqen të arratisen. Mund të shikosh fotografi të njerëzve që jetojnë brenda një stacioni metroje”, tregon ajo për Zërin e Amerikës.

Biseda me prindërit e ndihmon 15-vjeçaren të përballojë ndjenjat negative.

Ajo thotë se tani është e fokusuar më shumë tek ana humanitare, se si mund të ndihmojë njerëzit. “Po ndihmoj si mund të bëjë dikush donacione, çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar të gjithë ata njerëz që i shikojmë në ato fotografi”, tregon më tej ajo.

Maria Kantowicz, një adoleshente polake është më afër zonës së konflktit.

Ajo tregon për Zërin e Amerikës se në rrjetin social “Tik Tok” videot me përmbajtje shqetësuese janë të shumta.

“Unë jam shumë e interesuar për të parë njerëzit në moshën time, se si ndihen ata në të vërtetë në momente të tilla. Si ndihen kur duhet të largohen nga vendi i tyre dhe të fillojnë jetën e tyre në një vend tjetër, ndoshta edhe pa prindërit, pa familjen e tyre. Unë jam e tmerruar për atë që ata ndjejnë”, tregon Maria.

Prindërit e tre adoleshentëve, që folën me Zërin e Amerikës thonë se përpiqen që t’i mbajnë fëmijët e tyre larg lajmeve jo të vërteta.

Jules Terpak, eksperte për rrjetet sociale thotë se nuk është e lehtë t’i shpëtosh informacioneve që nuk janë të vërteta.

“Edhe gazetarët e kanë shumë e vështirë të arrijnë të kuptojnë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është jo e vërtetë në këto platforma, për sa i përket materialeve të publikuara nga Ukraina”, thotë ajo.

Ndërkohë Kahlil Greene është një nga njerëzit me ndikim në rrjetet sociale, i cili se fundmi është informuar nga Shtëpia e Bardhë për atë që po ndodh në Ukrainë.

“Tani mund t’i dallosh shumë lehtë njerëzit që janë të mërzitur për krizën. Por nëse zgjidhet deri në pikën ku nuk i prek drejtpërdrejt ata, njerëzit humbasin interesin dhe kalojnë në krizën tjetër të madhe”, thotë ai.

12-vjeçari Nathan Sarpal shpenzon vetëm gjysmë ore kohë çdo ditë për të parë atë që ndodh në Ukrainë.

Por kur Zëri i Amerikës e pyet nëse është në gjendje të dallojë infromacionet e vërteta nga informacionet jo të vërteta, ai thotë se kjo është e vështirë.

“Kjo është pjesa për të cilën nuk jam 100% i sigurt. Por thjesht dua të besoj se ajo që shikoj është e vërtetë”, thotë ai.

“Meta”, kompania mëmë e “Facebook-ut” dhe “Instagram-it”, refuzoi kërkesën për intervistë të Zërit të Amerikës. Ndërkohë YouTube-i dhe TikTok-u ende nuk i kanë kthyer përgjigje për një koment Zërit të Amerikës./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat