Sulmet kibernetike ndaj E-Albania, eksperti i teknologjisë: Prapa është ky shtet

Teknologji

Sulmet kibernetike ndaj E-Albania, eksperti i teknologjisë: Prapa është ky shtet

Më: 21 korrik 2022 Në ora: 00:18
Foto ilustrim

Eksperti i teknologjisë informative, Gentian Progni, ka folur rreth sulmeve kibernetike që iu bë platformës digjitale të Shqipërisë, E-Albania.

Ai tha se në këto sulme është lënë një mesazh politik që ka lidhje me muxhahedinëve që ndodhën në zonën e Durrësit.

Progni tha se i vetmi shtet që ka synim të lë një mesazh të tillë është Irani, pasi sipas tij, ditët e fundit ka pasur edhe disa arrestime të spiunëve të huaj dhe ka qenë rasti i ambasadorit të Iranit.

“Është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, është një sulm i sofistikuar dhe shumë i investuar në disa drejtime. Nuk është menduar të dëmtohet vetëm institucioni, por ka qenë i gjerë edhe në media”.

“Të vetmet shtete që kanë fuqi të tilla janë Irani e Rusia. Duke qenë se mesazhi është shumë konkret, i vetmi shtet që ka lidhje me këtë është Irani”, është shprehur Progni në “Edicioni Special”.

Tutje, ai tha se këto sulme lidhen edhe me investimin e Amerikës në zonën e Hamallajt në Durrës, ku sipas tij, ShBA-të kanë sjellur njerëz për t’u strehuar aty.

“Është një situatë që ndikon politikisht duke qenë se edhe mesazhi që del në kompjuterët e inkriptuar ku shprehet qartë në mesazh thuhet se “a është e drejtë që taksat tona të shpenzohen për terroristët që ndodhën në Durrës”, është shprehur Progni.

Progni e përjashtoi si mundësi Rusinë që të ketë gisht në këtë rast, pasi sipas tij, mesazhet politike flasin shumë.

Ai kërkoi ndihmë edhe të ekspertëve nga Kosova për tu bërë bashkë, duke e konsideruar këtë si “lufta e së ardhmes.

“Supozoj se na kanë sulmuar ushtritë këmbësore dhe besoj se çdo shqiptar do të merrte armën e do të mbronte atdheun. Kështu e shoh edhe unë, mendoj se ky sulm të vetmen të mirë që e ka është se duhet të përgatitemi për të ardhmen”, u shpreh Progni.

Në lidhje me këtë, gjatë ditës foli edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se pas sulmit kibernetik ndaj sistemit të e-Albania-s fshihet një shtet dhe jo një grup hakerash të zakonshëm. Edhe pse nuk i përmendi me emër, Rama tha se sulmi ishte i sofistikuar dhe për të mbrojtur sistemin u përfshi edhe NATO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat