Google do të paguajë 1 miliardë e 375 milionë dollarë për të zgjidhur pretendimet për shkelje të privatësisë së të dhënave të paraqitura nga Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit Ken Paxton.
Teksasi ngriti dy padi në vitin 2022 kundër Google për gjurmimin dhe mbledhjen e paligjshme të të dhënave private të përdoruesve në lidhje me vendndodhjen gjeografike, kërkimet inkognito dhe të dhënat biometrike, thuhet në njoftimin e prokurorit të përgjithshëm të shtetit federal amerikan, raporton KosovaPress.
Deri më tani, asnjë shtet i vetëm nuk ka arritur një zgjidhje kundër Google për shkelje të ngjashme të privatësisë së të dhënave më të mëdha se 93 milionë dollarë.
"Kjo zgjidh një sërë pretendimesh të vjetra, shumë prej të cilave tashmë janë zgjidhur diku tjetër, në lidhje me politikat e produktit që kemi ndryshuar prej kohësh," tha zëdhënësi i Google, José Castañeda për The Verge.
"Ne jemi të kënaqur t'i lëmë pas vetes dhe ne do të vazhdojmë të ndërtojmë kontrolle të forta të privatësisë në shërbimet tona."
Në vitin 2022, Google ra dakord të paguante 391.5 milionë dollarë për 40 shtete mbi akuzat për gjurmimin e vendndodhjes pa pëlqimin e përdoruesit.
Vitin e kaluar, kompania tjetër gjigante amerikane Meta ra dakord për një marrëveshje prej 1.4 miliard dollarësh me Teksasin për njohjen e fytyrës dhe etiketat e fotografive.