“Beteja me qentë endacak në Tetovë, mision i pamundur” - Bota Sot
“Beteja me qentë endacak në Tetovë, mision i pamundur”

Tetova

“Beteja me qentë endacak në Tetovë, mision i pamundur”

Më: 6 dhjetor 2019 Në ora: 18:33
Foto ilustrim

Në Tetovë është rishfaqur sërish problemi me qentë e pastrehë. Janë të shumta rastet ku qytetarët publikojnë video dhe fotografi me tufa të qenve endacak në rrugët e Tetovës, sidomos në pjesën qendrore. Kryesisht qentë vërehen përreth institucioneve, ku edhe lëvizja e qytetarëve është më i madh. Tufa qensh endacak gjen edhe për rreth dhe në oborrin e Spitalit Klinik të Tetovës. Si pasojë e kësaj gjendje shumë qytetarë që kanë qenë viktimë e qenve endacak kanë denoncuar rastet edhe në polici.

Siç raportojnë nga policia e Tetovës vetëm për dy ditë janë denoncuar dy raste. Rasti i parë është denoncuar nga një 17 vjeçar, i cili ka qenë i sulmuar nga një tufë qensh për derisa ka qenë duke shkuar për në shkollë. Sipas policisë 17 vjeçari është sulmuar nga një tufë qensh në rrugën “Gjoce Stojçeski”, viktima siç raportojnë nga policia ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore në Spitalin klinik të Tetovës.

Ndërkohë rasti i dytë ka ndodhur te Parkingu në afërsi të Spitalit Klinik të Tetovës, ku 19 vjeçari A.D nga fshati Jazhincë është sulmuar dhe kafshuar në këmbën e majtë nga një qen endacak. Rastet e këtilla janë shpeshtuar kohëve të fundit, ndërsa problemi me qentë endacak duket të jetë një mision i pamundur për autoritetet lokale, pasi që ky është problem disavjeçar i komunës së Tetovës, që nuk ka ndonjë epilog pozitiv. Së fundmi në zgjidhjen e këtij problemi u angazhua një stacion i veterinarisë që të trajtojë këtë problem, por qentë endacak ende bredhin rrugëve të Tetovës.

Nga komuna kanë njoftuar se kanë hapur tender të ri i cili është mbyllur dhe është përzgjedhur kompani e cila do të merret me këtë problem.

“Realisht këshilli i Komunës së Tetovës për vitin 2019 ka ndarë një shumë prej 500 mijë denarë për problemin me qentë endacak mirëpo si duket nuk janë të mjaftueshme, ndërsa për buxhetin e vitit 2020 duhet të kemi më shumë mjete se është një temë e cila na pengon të gjithë neve. Si pasojë e mos pasjes së kushteve ideale për t’i trajtuar ne detyrohemi të ju japim institucioneve tjera që ta zgjedhin atë. Personat që kanë marrë përsipër që të rregullojnë këtë punë po bëjnë përpjekje edhe ata me aq sa kanë mundësi”, deklaroi Bekim Memeti, kryetar i këshillit të komunës së Tetovës.

Nga ana tjetër, ka reaguar edhe policia e Tetovës pas rasteve të fundit të denoncimit për sulme nga qentë endacak.

“Sektori për punë të Brendshme në Tetovë, me një apel drejtuar qytetarëve të rajonit të Tetovës dhe Gostivarit, kërkojmë që nëse vërejnë persona të cilët me anë të mjeteve ngarkuese apo lloje tjera të automjeteve, sjellin dhe shkarkojnë gjegjësisht i lëshojnë qentë nga vende tjera në Tetovë dhe Gostivar ose rrethinë, që të paraqiten në numrin e telefonit 192 i cili është pa pagesë dhe të denoncojnë rastet e tilla, duke treguar vendin automjetin dhe informacione tjera, me qëllim të intervenimit të shpejtë dhe efikas”, deklaroi zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë Fatmir Rexhepi.

Nga policia e Tetovës kanë rikujtuar se nëse hasen persona që sjellin qentë nga qytete tjera masat janë rigoroze.

“Personave të cilët lëshojnë qentë pa kontroll dhe pa kujdes nëpër rrugë apo vende tjera publike, u bëhet me dije se në mënyrë ligjore do të sanksionohen, me përgatitjen e parashtresave adekuate kundër tyre. Policia e Tetovës në koordinim apo bashkëveprim me vetëqeverisjen lokale të Tetovës, janë duke ndërmarrë masa dhe aktivitete për tejkalimin e kësaj dukurie, me qëllim që qytetarët të lëvizin në mënyrë të sigurt dhe pa pengesa, që të realizojnë punët e tyre të përditshme, arsimore, shëndetësore si dhe nevoja tjera personale”, pohojnë nga policia e Tetovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat