Rifillon me punë Biblioteka e Tetovës

Tetova

Rifillon me punë Biblioteka e Tetovës

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 16:48
Biblioteka e Tetovës

Pas katër muaj ndërprerje, Biblioteka e Tetovës sërish ka filluar me punë dhe është hapur për lexuesit. Edhe të punësuarit edhe lexuesit duhet që t’u përmbahen protokolleve për punë për mbrojtje nga koronavirusi.

Sipas drejtoreshës së Bibliotekës së Tetovës, Njomza Imeri, librat që do të kthehen nuk do të mund të merren gjatë tre ditëve të ardhshme nga lexues tjerë. “Asnjë lexues nuk mund të hyjë në bibliotekë pa maskë, mbajtja e distancës, dorezat nuk janë edhe aq të domosdoshme, por kemi gjithsesi dezinfektues te dera edhe në brendi të bibliotekës, edhe tek punonjësit në sportele, pra këto janë masat që i kemi marrë për mbrojtje nga virusi.

Hyrjet duhet të jenë nga një person, duhet të kemi mirëkuptim, kemi shumë lexues, ka shumë libra që duhet të kthehen, por duhet që të jemi në harmoni edhe me këto masa. Çdo libër duhet të qëndrojë tre ditë në karanatinë para se të merret nga lexues tjetër”, tregon Imeri. Lexuesit që nuk i kanë kthyer librat gjatë katër muajve të kaluara nuk do të “dënohen”.

“Gjatë katër muajve, ata lexues që nuk i kanë kthyer librat nuk do të dënohen. Ne duhet të solidarizohemi me lexuesit tanë, po ashtu do të vazhdohet edhe anëtarësia për disa muaj. Ata që katër muaj nuk kanë qenë në bibliotekë – nuk është në rregull të ketë dënime nëse nuk e kanë kthyer librin. Gjatë kësaj kohe do të furnizohemi me tituj të ri edhe në gjuhën maqedonase – edhe në gjuhën shqipe, dhe mendoj se lexuesit do të kenë shumë shpejt libra që nuk kanë mundur ti gjejnë deri më tani”, thotë drejtoresha Imeri. Në këtë periudhë më shumë kërkohen libra që kanë të bëjnë me aspektin psikologjik të njerëzve për të tejkaluar këtë situatë me pandeminë. “Lexuesit më shumë kërkojnë tituj që kanë të bëjnë me përmbajtje motivuese, libra psikologjik, romane dhe literaturë tjetër, e cila do të mund të ndihmojë ata që të tejkalojnë këtë situatë të krijuar me pandeminë e virusit Covid-19. Ne mundohemi të gjejmë literaturën që ata e kërkojnë dhe mundohemi të jemi në shërbim të tyre dhe mos kthejmë asnjë lexues për librin që e kërkon”, deklaroi për gazetën KOHA drejtoresha e Bibliotekës së Tetovës.

Biblioteka e Tetovës, siguron Imeri, do të furnizohet edhe me tituj të ri gjatë periudhës që vjen. “Jemi në pritje të furnizimit me tituj të ri dhe libra që nuk i kemi në fondin tonë. Gjithmonë kemi qenë në hap me kohën dhe asnjë lexues nuk është kthyer nga biblioteka për mungesë të literaturës dhe kështu do të jemi edhe në të ardhmen”, thotë Imeri..

Megjithatë, në Bibliotekën e Tetovës ka një fond të madh të librave, të cilët mbahen në hapësira joadekuate ngase biblioteka është e vendosur në kuadër të Qendrës për Kulturë. Kushtet pritet të përmirësohen pas ndërtimit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Aty do të ketë edhe leximore dhe hapësira më të mira për punë, por edhe lexuesit do të kenë hapësira të cilët u kanë munguar në hapësirat ku janë të vendosura tani. Biblioteka e Tetovës do të punojë me orarin veror pra nga ora 8 deri ore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat