Tetovë, për gjashtë muaj vetëm 6 dënime për ndotje të ambientit - Bota Sot
Tetovë, për gjashtë muaj vetëm 6 dënime për ndotje të ambientit

Tetova

Tetovë, për gjashtë muaj vetëm 6 dënime për ndotje të ambientit

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 18:07
Foto Ilustrim

Kontejnerë të pastruar por mijëra mbeturina në tokë.Këto janë pamjet në disa lokacione në qytetin e Tetovës. Këto pamje janë të shpeshta, por në disa raste jo për faj të Ndërmarrjes Publike Komunale. Pastrimi i kontejnerëve bëhet çdo ditë por jo edhe pastrimi i vendeve përreth kontejnerëve. Drejtori i NPK-së, Xhelal Ceka thotë se shpesh herë u bëjnë apel qytetarëve që makineritë, pajisjet e ndryshme shtëpiake apo mobiljet të mos hidhen në këto kontejnerë, pasi siç thotë, ka vende të veçanta për të njëjtat.

“Mobiljet, televizorët apo çfarëdo makinerie të hidhen tek gjelbërimi e cila është afër EVN pasi që kemi nënshkruar edhe një marrëveshje me vendin e mbeturinave, por qytetarët hedhin edhe materiale ndërtimore që na hapin edhe telashe për të pastruar me mjete plotësuese”, deklaroi Drejtori i NPK “Tetova”, Xhelal Ceka.

Por në disa lokacione ndodh që mbeturinat edhe të ndizen. Kjo shpesh bëhet në pjesët periferike të qytetit të Tetovës, ku qytetarët mbeturinat i hedhin edhe me traktorë. Lokacioni që ka qenë dikur për ngarkim – shkarkim, vazhdon të ngelet plot mbeturina, shkaku i hedhjes së të njëjtave nga qytetarët në masë të madhe.

Aksione për pastrimin e deponive të egra në qytetin e Tetovës nuk ka pasur që një kohë të gjatë, ndërsa vendi i ngarkim-shkarkimit në qytetin e Tetovës vazhdon të ngelet i stërmbushur dhe për çdo ditë vazhdojnë të hidhen nga 150 ton mbeturina.

Ndryshe, për gjashtë muaj nga SPB – Tetovë janë shqiptuar vetëm gjashtë dënime për higjienë publike, prej të cilave katër raste janë në procedurë penale për hedhje të mbeturinave në vende publike por që akoma nuk janë zbuluar autorët.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat