Tregu i Tetovës, gjithnjë e më pak i frekuentuar

Tetova

Tregu i Tetovës, gjithnjë e më pak i frekuentuar

Më: 20 shkurt 2021 Në ora: 16:45
Foto ilustrim

Çmimet janë të njëjta, por qytetarët nuk kanë para që të blejnë. Kështu thonë shitësit në tregun e gjelbër të Tetovës, duke nënvizuar se pandemia me Corona virusin dukshëm ka ndikuar në aspektin ekonomik dhe të fuqisë blerëse. Në kohë normale frekuentimi në tregun e gjelbër të qytetit të Tetovës është shumë i madh nga ana e qytetarëve, sidomos gjatë ditës së enjte dhe të premte. Por, për dallim prej atëherë tashmë ndryshimi është shumë i madh. Pak qytetarë frekuentojnë këtë treg për të blerë prodhime të ndryshme. Ajo që bie në sy gjatë kësaj periudhe është se shumë tezga janë të mbyllura. Arsyeja për këtë gjendje është koha e ftohtë dhe shumë tregtarë vendosin që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin, kurse efektin në ekonominë vendore që ka shkaktuar pandemia, ka detyruar që shumë tregtarë të mbyllin këto tezga dhe të gjejnë punë tjetër. “As për së afërmi nuk është si vitet e mëparshme, kur kishim shumë qytetarëve gjatë ditës së enjte dhe të premte. Tash nuk ka lëvizje aspak. Ka ndikuar edhe pandemia edhe i ftohti që të mos kemi punë”, shprehet një shitës në këtë treg.

Shitësit shprehen se qytetarët gjithnjë e më shumë varfërohen dhe kjo ka ndikim tek puna e tyre. “Në të kaluarën, kishim shumë qytetarë që vinin enkas për të blerë në treg gjërat e nevojshme. Kishte më shumë qarkullim të parave dhe ne mbijetonim sa për të siguruar një mbijetesë më të mirë. Por tashmë ka shumë pak që blejnë. Ka edhe të tillë që vijnë vetëm për të parë çmimet dhe nuk blejnë. Është një kohë e vështirë si për ne si tregtarë, por edhe për qytetarët, sepse ne varemi direkt prej tyre”, thotë Bajrami, një shitës në këtë treg.

Viteve të fundit në tregun e gjelbër të Tetovës gjithnjë ka më pak tezga të hapura. Disa këto tezga i hapin vetëm gjatë ditës së enjte dhe ditëve tjera nuk i çelin. Shkak për këtë është se gjatë ditëve tjera ka edhe frekuentim shumë të dobët të qytetarëve të Tetovës dhe rrethinës. Kurse krahas kësaj, disa tezga qëndrojnë të mbyllura gjatë tërë dimrit. Sipas tyre, gjatë dimrit është shumë vështirë ngase nëse prodhimet nuk shiten, atëherë duhet që të njëjtat të hidhen dhe kjo ka ndodhur çdo stinë të dimrit, andaj disa tregtarë aspak nuk vijnë gjatë kësaj periudhe. Ajo që është evidente është se edhe shitësit janë të vetëdijshëm për gjendjen ekonomike dhe theksojnë se kjo krizë ka ndikuar edhe tek ata edhe tek qytetarët. “Kur është gjendja normale edhe ne jemi të kënaqur si shitës, por edhe qytetarët më pak ankohen për çmimet, kurse tani ankohemi edhe neve si tregtarë edhe qytetarët ankohen për çmimet. Është bërë keq për të dy palët”, pohojnë në këtë treg.

Në ndërkohë, shitësit shpresojnë se me rritjen e temperaturave të ketë më shumë punë dhe të tejkalohet kjo krizë. Tregu i Tetovës është i kategorisë gjysmë i hapur, prandaj shumë tregtarë nuk punojnë gjatë kësaj periudhe nga frika për ngrirjen e prodhimeve dhe pastaj do të jenë të detyruar që t’i hedhin të njëjtat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat