Gara për Tetovën: Zaevi nuk garanton mbështetje për kandidatët

Tetova

Gara për Tetovën: Zaevi nuk garanton mbështetje për kandidatët

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 09:43
Foto ilustrim

Raundi i dytë në Tetovë pritet të sjellë një garë të ashpër mes Teuta Arifit dhe Bilall Kasamit. Dallimi në raundin e parë është vetëm 642 vota, e partitë tjera shqiptare që nuk arritën të hyjnë në raundin e dytë kanë marrë një numër të konsiderueshëm të votave. Përkrahja e koalicionit Aleanca&Alternativa dhe e PDSH-së për ndonjërin prej kandidatëve, mund të jetë ndihmë e madhe, por edhe LSDM dhe OBRM-PDUKM mund të luajnë rrol të rëndësishëm.

Mickoski duke u përgjigjur për raundin e dytë të zgjedhjeve në Tetovës, me ironi rikujtoi një deklaratë të Kasamit.

“Sa i përket Tetovës, atje kemi dy kandidat, Teuta Arifi dhe i dyti është Bilall Kasami.
Bilall Kasami kishte një deklaratë ku thoshte se është i gatshëm që të bashkëpunojë me të gjithë partitë politike, përveç me OBRM-PDUKM-në. Nuk e di se a i duhet përkrahja e OBRM-PDUKM-së, ai duhet vet ta thotë se a i duhet apo jo. Do të mendojmë në të periudhë që të mund të japin përgjigje konkrete për këtë çështje”,
tha Mickoski.

E Zoran Zaev tha se nëse nuk arrihet marrëveshje, do t’iu bëhet thirrje simpatizantëve që të votojnë sipas bindjeve të tyre.

“Në rrethin e dytë, atje ku kemi partnerë të koalicionit, definitivisht politika që deri më tani e kemi ndërtuar do të jetë e njëjtë. Ne do të analizojmë dhe do ti themi qëndrimet tona. Po lë pak hapësirë sepse sigurisht që vet partnerët e koalicionit mund të dakordohen se ku dhe si do ti japin mbështetje njëri-tjetrit. Në rast se nuk ka marrëveshje, do ti lëmë që simpatizantët, aktivistët tanë të sjellin vet vendimin”, tha Zaev.

Por Kasami është i sigurt se ai do të jetë fitues në raundin e dytë. Më të rëndësishme e ka koalicionin me qytetarët, e premtoi se do të jetë kryetar i të gjithë tetovarëve, pa dallim të përkatësisë politike.

“Kur shumë pak besonin, ne ishim e vetmja parti që nuk bëri koalicion parazgjedhor. Shkuam në koalicion me popullin dhe tetovarët e pranuan këtë koalicion dhe dhanë verdiktin e tyre. Edhe në raundin e dytë primare do të jetë koalicioni me tetovarët, pa marrë parasysh a janë me BDI-në, apo me Aleancën, apo të PDSH-së, OBRM-PDUKM-së ose të LSDM-së. Unë si kryetar i ardhshëm i Tetovës do të jem një kryetar i të gjithë qytetarëve dhe do të punoj për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë e tyre”, tha Kasami.

Në raundin e parë, Teuta Arifi morri 11 134 vota, që është një ulje prej 2000 votave në krahasim me 2017. E Kasami, i cili ishte kandidat edhe në 2017, morri 10496 vota, që është rreth 2000 vota më shumë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat