Ka përfunduar afati katërjavor për procedimin e raportit lidhur me nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa Kuvendi i Kosovës ende nuk ka marrë një vendim për hapat e mëtejshëm.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, bëri të ditur se është kërkuar opinion nga Drejtoria Ligjore për të sqaruar se si duhet të veprohet pas përfundimit të afatit, pasi Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh pasoja konkrete në rast të mosprocedimit të raportit brenda kësaj periudhe.
“Sa i përket ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, Kryesia e Kuvendit ka kërkuar opinion për veprimin e radhës. Sipas Rregullores së Kuvendit, pas kthimit të një ligji, komisioni përkatës ka katër javë për të proceduar raportin. Afati ka përfunduar dhe nga Drejtoria Ligjore është kërkuar sqarim se çfarë ndodh nëse afati kalohet, sepse nuk parashihet ndonjë pasojë në rast se nuk kemi një vendim brenda afateve”, deklaroi Haxhiu, transmeton "Bota sot".
Ajo paralajmëroi gjithashtu se gjatë kësaj jave pritet të procedohet një nismë e re për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa përmbajtja e saj do të bëhet e ditur pasi drafti të dorëzohet në Kuvend.
Haxhiu tha se pengesat në nismën e mëparshme kanë qenë të natyrës procedurale dhe jo përmbajtësore, duke shtuar se drafti i ri do të lidhet me atë që ajo e cilësoi si vendim të padrejtë të Gjykatës Speciale.
“Sipas informacioneve që i kam, një nismë e re do të procedohet brenda kësaj jave. Se çfarë përmban ajo, do të diskutojmë kur të procedohet. Duhet ta theksoj se në raport me këtë çështje nuk kemi pasur ndonjë problem përmbajtësor; çështjet kanë qenë plotësisht të natyrës procedurale. Do të ketë një draft të ri në raport me çështjen e vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale”, u shpreh ajo.
Kryeparlamentarja foli edhe për hartimin e strategjisë që synon trajtimin e çështjeve të të drejtave të njeriut në raport me Gjykatën Speciale. Sipas saj, grupi punues po vazhdon punën dhe Kuvendi do të jetë i përfshirë në këtë proces.
Haxhiu paralajmëroi se Kuvendi së shpejti do të angazhojë një mekanizëm institucional për mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale.
Ajo kritikoi edhe punën e Avokatit të Popullit pranë kësaj gjykate, duke pretenduar se nuk i ka përmbushur përgjegjësitë e tij.
“Gjithmonë kemi folur për shkeljen e të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale. Fatkeqësisht, Avokati i Popullit atje nuk e ka kryer punën e tij. Këtë çështje e kam ngritur edhe kur kam qenë ministre e Drejtësisë, por nuk ka pasur reflektim. Kuvendi shumë shpejt do të angazhojë një mekanizëm institucional që do të merret me këtë përgjegjësi”, deklaroi Haxhiu.