Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhje, duke filluar nga ora 11:00, ku në rend dite janë një sërë çështjesh parlamentare dhe institucionale.
Sipas rendit të ditës, anëtarët e Kryesisë do të shqyrtojnë miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar dhe propozimin e rendit të ditës për seancën plenare të radhës.
Po ashtu, parashihet miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Një ndër pikat e mbledhjes është edhe miratimi i buxhetit të Komisionit Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Në fund, Kryesia do të shqyrtojë edhe propozime dhe kërkesa të tjera.