Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, tha se institucionet e BE-së duhet të japin sqarime me shkrim dhe të kërkojnë falje për mospërfshirjen e Kosovës në Forumin e Zgjerimit në Bruksel, si dhe për këngën me motive nacionaliste të interpretuar në këtë ngjarje.
Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, Lushaku-Sadriu ka thënë se këtë kërkesë e ka adresuar në kuadër të Komisionit për Integrime Evropiane, ku kanë kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë, raporton KosovaPress.
Ajo ka bërë të ditur se i ka drejtuar tri kërkesa komisioneres evropiane për Zgjerim Marta Kos, lidhur me përzgjedhjen e këngës, mospjesëmarrjen e Kosovës dhe përzgjedhjen e shteteve pjesëmarrëse në Forumin e Zgjerimit.
Derisa seanca e re e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet të enjten, e po ashtu siç tha ajo, kanë marrë vendim që pyetjet parlamentare të mbledhura nga shumë deputetë të adresohen në një seancë të veçantë, që potencialisht mund të jetë të premten.
Mospjesëmarrja e Kosovës në forumin e zgjerimit në Bruksel, Lushaku-Sadriu: BE të japë sqarime
“Miratuam një rresht kërkesash, por edhe miratuam agjendën për seancën e së enjtes. Njëkohësisht morëm edhe një vendim që pyetjet parlamentare të mbledhura nga shumë deputetë të adresohen në një seancë të veçantë, që potencialisht mund të jetë të premten. Ndërkohë që unë desha t'ju njoftoj po ashtu që sot kemi mbajtur një takim në kuadër të Komisionit për Integrime Evropiane, ku kemi ftuar kryesuesin ose udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, nga i cili i kemi adresuar një kërkesë të qartë, një sqarim me shkrim dhe kërkimfalje nga institucionet e Bashkimit Evropian për mospjesëmarrjen e institucioneve të Kosovës në forumin e zgjerimit. Një incident, në fakt, edhe për mospjesëmarrje edhe sa i përket këngës me motive nacionaliste, e që është komplet në kundërshtim me qëndrimet dhe synimin e Bashkimit Evropian, s'na dërgoi një sqarim me shkrim nga nivelet më të larta politike. I kam adresuar 3 kërkesa, ndaj komisioneres Marta Kos për sqarim. Edhe për mënyrën se si është selektuar ajo këngë, por edhe për mospjesëmarrjen edhe për zgjedhjen e shteteve në forumin e zgjerimit”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Lushaku-Sadriu ka treguar se ka kërkuar edhe nga kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme David McAllister që ta thërrasë në përgjegjësi komisioneren Marta Kos dhe të kërkojë sqarime për këto zhvillime. Po ashtu, ajo ka kërkuar përfshirjen e raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, në këtë proces.
Kënga nacionaliste serbe në Bruksel, Lushaku-Sadriu: Marta Kos të japë përgjegjësi
“Kam kërkuar edhe nga kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, McAllister, që të thërret në përgjegjësi komisioneren Kos dhe t'i kërkojë sqarimet institucionale për mungesën e Kosovës dhe për këngën. Dhe po ashtu kam kërkuar që në këtë proces të na ndihmojë edhe raportuesi në Parlamentin Evropian i cili raporton për Kosovën, që është deputeti Teras. Në këtë rast, unë besoj që Kosova dhe qytetarët e saj janë qytetarët më proevropianë, dhe për këtë nuk e besoj që e meritojmë si qytetarë të zhgënjehemi në këtë rrugëtim, por edhe si institucione dhe si shtet kërkojmë sqarime. Kjo duhet ta parandalojë çdo incident në të ardhmen, të sigurojë që Kosova të jetë në perspektivën evropiane, meqë çdo në çdo dokument strategjik të Bashkimit Evropian Kosova ka të hapura dyert për t'u integruar. Për këtë meritojmë sqarime zyrtare dhe tash e tutje duhet që sqarimet edhe raportet tona të jenë edhe me shkrim, edhe Kosova të trajtohet dinjitetshëm edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian”, tha ajo.
Koncerti i organizuar në mbrëmjen e 15 nëntorit, në kuadër të hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, është shndërruar në një incident diplomatik mes Kosovës dhe BE-së.
Gjatë programit muzikor u interpretua melodia e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës.