Vranësira, reshje shiu dhe mundësi për borë në zonat malore, ndërsa ngricat e mëngjesit dhe mjegulla do të jenë të pranishme gjatë ditëve në vijim.
Territori i Kosovës gjatë javës së ardhshme do të përballet me mot kryesisht të vranët, me intervale të herëpashershme me diell dhe reshje shiu. Në zonat malore dhe në lartësitë më të mëdha mbidetare parashihen kushte edhe për reshje bore.
Sipas parashikimit meteorologjik, temperaturat minimale do të zbresin deri në -8 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale kryesisht do të lëvizin nga 2 deri në 6 gradë.
Ky regjim i temperaturave do të favorizojë paraqitjen e ngricave të mëngjesit, veçanërisht në zonat e ulëta, luginore dhe në lokalitetet ku krijohen kushte për ftohje më të theksuar. Ndërkaq, në kushtet e lagështisë së shtuar dhe erës së dobët, në disa zona mund të paraqitet edhe mjegull.
Java do të nisë me mot kryesisht të vranët dhe me shi. Të hënën, në viset me lartësi më të mëdha, parashihen reshje shiu dhe bore. Temperaturat minimale do të sillen nga 2 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 6 deri në 9 gradë. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-11 metra në sekondë.
Të martën pritet mot me vranësira të shpërndara dhe intervale me diell, ndërsa në orët e mëngjesit do të ketë ngrica dhe mjegull. Temperaturat minimale do të zbresin nga -5 deri në -3 gradë Celsius, kurse maksimalet do të arrijnë nga 3 deri në 6 gradë.
Të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, të cilat në disa vende mund të sjellin riga të dobëta shiu. Edhe kjo ditë do të karakterizohet me ngrica në mëngjes. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -8 deri në -3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 2 deri në 6 gradë.
Të enjten parashihet mot kryesisht i vranët, me riga të herëpashershme shiu. Temperaturat minimale do të sillen nga 0 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 5 deri në 8 gradë. Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-6 metra në sekondë.
Ndërsa të premten do të vazhdojë moti kryesisht i vranët, me kushte për reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 5 gradë Celsius, kurse maksimalet nga 6 deri në 9 gradë.
Kështu, java e ardhshme do të karakterizohet nga mot i paqëndrueshëm, me reshje, temperatura të ulëta dhe ngrica të mëngjesit, ndërsa në zonat malore mbetet e mundshme edhe bora.