Konjufca takohet me homologun grek në Athinë, kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës

Aktuale

Konjufca takohet me homologun grek në Athinë, kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës

Nga: Bota sot Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 16:12
Pamje nga takimi

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim në Athinë me homologun e tij grek, George Gerapetritis, ku kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit bilateral.

Përmes një postimi, Konjufca ka vlerësuar mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryediplomati kosovar ka shprehur gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit përmes dialogut më të rregullt politik dhe forcimit të lidhjeve ekonomike.

Një ndër temat kryesore të takimit ishte edhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia.

Konjufca ka theksuar se njohja nga Athina do të përbënte një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e fqinjësisë së mirë në rajon.

Në përfundim, ai ka bërë të ditur se e ka ftuar homologun grek që takimin e radhës ta zhvillojnë në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat