Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, bëri thirrje që Këshilli i BE-së të kërkojë nga Komisioni Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në familjen e madhe evropiane.
Në takimin e ministror të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Athinë, Konjufca theksoi se një proces i besueshëm i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet t'i jep mundësi secilit vend të Ballkanit Perëndimor të përparojë në bazë të meritave dhe reformave të realizuara.
Konjufca theksoi përparimin e Kosovës në reformat demokratike, përputhjen e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe gatishmërinë për të marrë pjesë në misionet dhe operacionet e Bashkimit Evropian.
“Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian, si përmes reformave, ashtu edhe përmes qëndrimit të saj të palëkundur në mbështetje të politikave të BE-së. Tani është koha që ky përkushtim të përcillet me hapa konkretë nga BE, duke i mundësuar Kosovës të ecë përpara në procesin e anëtarësimit, njësoj si vendet e tjera të rajonit”, ka thënë ai.
Kujtojmë, Kosova tash e gati katër vjet ka aplikuar për anëtarësim në BE, por kjo çështje ende nuk është proceduar nga ana e Komisionit Evropian.