Një muaj paraburgim i është caktuar Endrit Azemit, i dyshuar për mashtrim, pasi dyshohet se përmes një skeme mashtrimi, duke u paraqitur si i sëmurë me leukemi akute, ka grumbulluar afro 190 mijë euro nga qytetarët.
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar të pandehurit masën e paraburgimit prej një muaji, transmeton “Bota sot”.
Sipas dosjes së prokurorisë, nga 9 deri më 21 nëntor 2026, Azemi dyshohet se me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka vënë në lajthitje qytetarë të ndryshëm, duke sajuar se vuante nga leukemia akute.
Për të bindur të tjerët për pretendimin e tij, ai dyshohet se ka prezantuar dokumentacion të rremë, të cilin kinse e kishte lëshuar spitali “Acibadem Altunizade” në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se duhej t'i nënshtrohej trajtimit mjekësor.
Më pas, përmes platformës “GoFundMe”, si dhe aktiviteteve të organizuara nga familjarë dhe persona të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, dyshohet se janë grumbulluar shuma të konsiderueshme parash.
Sipas prokurorisë, në platformën online janë mbledhur 162.522 euro, ndërsa nga aktivitetet për grumbullimin e mjeteve në Gjilan janë siguruar edhe 26.684,80 euro.
Në total, shuma e mbledhur arrin në 189.206,80 euro, vlerë për të cilën prokuroria pretendon se përbën dëmin material të shkaktuar ndaj qytetarëve të ndryshëm dhe përfitimin e kundërligjshëm të të pandehurit.
Me këto veprime, Endrit Azemi dyshohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
I pandehuri prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë.