Familja e Haki Imerit ka reaguar pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke kërkuar llogari nga të gjithë ata që, sipas saj, i kishin premtuar Thaçit se nuk do të dënohej, ose se, nëse do të dënohej, do ta lironte Richard Grenell.
Në një postim në Facebook, familja Imeri shkruan se Haga "tashmë i ka dhënë dy verdikte" Thaçit dhe kërkon që ata që i dhanë premtime të tilla të jenë transparentë e të tregojnë pse e mashtruan të dënuarin, të cilin e përmend me nofkën e tij të luftës, "Gjarpëri" i Brojës.
"Ku është Rik Grenelli? Kërkoni llogari prej tij. Grenelli u ka zhvatur, mashtruar", shkruan familja Imeri..
Ajo bën thirrje që të ekspozohen të gjithë ata që kanë mashtruar në këtë drejtim, por, siç thekson, "me fakte, jo me gënjeshtra".
Dy dënime brenda dy muajve
Më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale shpalli aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katërshes, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për krime lufte. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar ankesë.
Më 17 nëntor, në rastin e dytë, atë për pengim të administrimit të drejtësisë, gjyqtari Christopher Gosnell e dënoi Thaçin me 17 muaj burgim. Në këtë rast u dënuan edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, ndërsa Isni Kilaj u lirua nga akuzat. "Kjo është politikë, nuk është drejtësi", deklaroi Thaçi pas shqiptimit të dënimit.
Sipas zëdhënësit të Gjykatës Speciale, nëse vendimet marrin formë të prerë, dënimet nuk do të bashkohen, por do të vuhen njëri pas tjetrit.
Grenelli dhe thirrjet për lirimin e Thaçit
Richard Grenell, ish-i dërguari i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë–Serbi, ka qenë për vite me radhë ndër zërat më të fortë amerikanë në mbrojtje të Thaçit. Në shkurt të vitit 2025, me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë, ai e quajti Thaçin "baba themelues" të shtetësisë së Kosovës dhe kërkoi që "burgosja e padrejtë" të marrë fund.
Në tetor të të njëjtit vit, Grenell e cilësoi sistemin gjyqësor evropian "brutal" dhe "arkaik" dhe shprehu shpresën se Thaçi, pasi të lirohet, do t'i padisë në një gjykatë amerikane të gjithë ata që e mbajtën në Hagë.