Kryetari i Asamblesë së Nju Jorkut miraton hapjen e hetimit për akuzat ndaj Guvernatorit Cuomo

Amerika

Kryetari i Asamblesë së Nju Jorkut miraton hapjen e hetimit për akuzat ndaj Guvernatorit Cuomo

Më: 12 mars 2021 Në ora: 06:19
Andrew Cuomo

Kryetari i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, Carl Heastie tha të enjten se ai ka autorizuar Komisionin e tij të Drejtësisë për të filluar një hetim të akuzave për ngacmime nga gjashtë gra kundër Guvernatorit Andrew Cuomo.

Hetimi i komisionit, i cili do të jetë paralel me atë që drejtohet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shtetit, Letitia James, do të ketë autorizimin për të intervistuar dëshmitarët, për të bërë kërkesa për dorëzim dokumentesh dhe për të vlerësuar provat, tha Heastie.

"Njoftimet mbi akuzat në lidhje me guvernatorin janë serioze", tha Heastie në një deklaratë.

Cuomo, 63 vjeç, ka mohuar të gjitha akuzat nga gratë, shumica e të cilave janë ish-ndihmëse të tij. Gruaja e fundit është një ndihmëse, e cila nuk ka pranuar të identifikohet, që sipas një artikulli në gazetën “Times-Union”, të publikuar të martën Cuomo e kishte përqafuar dhe përkëdhelur atë pasi e kishte ftuar atë në rezidencën ekzekutive vitin e kaluar me pretekstin se ishte e nevojshme për punë zyrtare.

Gazeta “Times-Union” njoftoi të mërkurën se Cuomo e ka mohuar këtë akuzë, duke thënë se "Unë kurrë nuk kam bërë diçka të tillë". Përfaqësuesit e zotit Cuomo nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së agjencisë së lajmeve Reuters për koment.

Reuters nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur identitetin e gruas, dhe as akuzat e saj.

Guvernatori ka kërkuar falje në një konferencë shtypi javën e kaluar për çdo sjellje të tij që i ka bërë gratë të ndihen në vështirësi, por pohoi se ai kurrë nuk ka prekur askënd në mënyrë të papërshtatshme.

Kryetari i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, Heastie, tha se vendosi të fillonte hetimin pas takimit me kolegët e tij demokratë që kontrollojnë organin legjislativ. Fundjavën e kaluar ai tha se guvernatori Cuomo duhet ta "shqyrtonte seriozisht faktin nëse ai mund të përmbushë në mënyrë efektive nevojat e banorëve të Nju Jorkut".

Lista e politikanëve të Nju Jorkut, duke përfshirë kolegët demokratë të zotit Cuomo, që po i bëjnë thirrje të japë dorëheqjen është rritur dhe të enjten përfshiu edhe kryebashkiakun e qytetit të Nju Jorkut Bill de Blasio, i cili tha se Cuomo "thjesht nuk mund të shërbejë më në postin e guvernatorit".

Guvernatori Cuomo ka thënë se nuk do të japë dorëheqjen dhe i ka kërkuar publikut të presë rezultatet e këtij hetimi përpara se të bëjë paragjykime.

Zoti De Blasio, një rival politik i zotit Cuomo, tha të enjten se akuza e fundit ishte shqetësuese.

"Akuza specifike se guvernatori ka thirrur një punonjëse të tij, dikë mbi të cilën ai kishte pushtet, në një vend privat dhe më pas e sulmoi seksualisht, është absolutisht e papranueshme", u tha de Blasio gazetarëve. "Është e pështirë për mua, dhe ai nuk mund të shërbejë më si guvernator."

Thirrjet për dorëheqjen e guvernatorit Cuomo kanë qenë në rritje që nga fundi i shkurtit, kur akuzuesja e parë e zotit Cuomo, një ish ndihmëse dhe kandidate aktuale për kryebashkiake të Manhatanit, Lindsey Boylan, botoi një artikull, në të cilin e akuzonte atë për sjellje seksuale të padëshiruara.

Guvernatori gjithashtu është përballur me akuza javët e fundit se administrata e tij u përpoq të minimizonte numrin e njerëzve që vdiqën nga COVID-19 në qendrat e azilit.

Fundjavën e kaluar, udhëheqësja e Shumicës së Senatit të Shtetit, Andrea Stewart-Cousins i bëri thirrje guvernatorit të japë dorëheqjen, duke thënë se stili i tij qeverisës krijoi një "ambient toksik pune" dhe pretendimet për sjellje të papërshtatshme seksuale kanë minuar aftësinë e tij për të udhëhequr.

Të enjten, më shumë se 55 ligjvënës demokratë të Nju Jorkut ndoqën shembullin e saj, duke nënshkruar një letër përmes së cilës kërkuan dorëheqjen e guvernatorit Cuomo.

"Si ligjvënës dhe si njujorkezë, ne të gjithë duhet të vendosim se çfarë është më e mira për të ardhmen e shtetit të Nju Jorkut", thuhet në letrën, e cila u postua në Twitter nga një prej nënshkruesve të saj, anëtarja demokrate e Asamblesë që përfaqëson Bronksin e Jugut, Amanda Septimo.

"Mjaft më", shkruante Septimo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat