VOA/ Një i vrarë dhe tre të plagosur në një sulm me armë në Uashington

Amerika

VOA/ Një i vrarë dhe tre të plagosur në një sulm me armë në Uashington

Më: 20 qershor 2022 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

Një 15-vjeçar u vra dhe qëllua për vdekje dhe tre persona të tjerë u plagosën, përfshirë një oficer policie, gjatë një sulmi me armë në një koncert të mbajtur të dielën mbrëma në Uashington, thanë zyrtarët e policisë. Sipas tyre, organizatorët e koncertit nuk kishin marrë leje për aktivitetin muzikor dhe forcat e policisë u detyruan ta ndërprisnin për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë.

Tre personat e plagosur, përfshirë një oficer policie, po trajtohen në një spital, u tha gazetarëve në vendin e ngjarjes shefi i policisë së Uashingtonit, Robert J. Contee III.

Incidenti ndodhi në një prej rrugëve të njohura të kryeqytetit në pjesën veriperëndimore të tij, rreth 3 kilometra në veri të Shtëpisë së Bardhë.

Shefi i policisë së Uashingtonit tha se ngjarja muzikore, për të cilën nuk ishte marrë leje, ishte reklamuar në mediat sociale si një koncert falas i titulluar “Moechella”. Qindra njerëz u mblodhën rreth orës 18 për të ndjekur shfaqjen e një grupi që si skenë po përdorte një kamion të pajisur me instrumente muzikore.

“Policia mbërriti për të ndihmuar në menaxhimin e turmës dhe njerëzit qëndruan kryesisht në trotuare ndërsa muzika luhej nga një kamion. Në orët që pasuan shpërtheu një përleshje mes pjesëmarrësve dhe turma filloi të shpërndahej. Më pas policia e ndërpreu koncertin”, tha shefi i policisë së Uashingtonit.

Disa njerëz u lënduan ndërsa po largoheshin me nxitim nga zona në momentin kur u dëgjuan të shtënat me armë që shkaktuan vrasjen e një adoleshenti dhe plagosjen e tre njerëzve të tjerë, shtoi ai.

Kemi një fëmijë të vrarë në një ngjarje që nuk ishte planifikuar në mënyrën e duhur. Shefi i policisë dhe unë do të vazhdojmë të sigurohemi që të kemi burimet që na nevojiten për të shmangur këto incidente. Duhet të mbahet përgjegjësi për këtë”, tha kryebashkiakja e Uashingtonit Muriel Bowser.

Shefi i policisë së Uashingtonit tha se hetimet mbi ngjarjen do të vazhdojnë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat